Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se situata e re politike kërkon që të takohet sërish me kryetarin e LDK-së dhe të diskutojë brenda Lëvizjes Vetëvendosje për rrugën përpara, raporton Ekonomia Online.
Kurti e ka quajtur “të papërgjegjshme, të dëmshme dhe absurde” sjelljen e gjashtë deputetëve të LDK-së që nuk e mbështetën kandidatin e propozuar për president, Bekim Sejdiu.
Kjo, sipas Kurtit, tregon vullnet për ta çuar vendin në zgjedhje për të katërtën herë brenda dy vitesh.
“Kjo është një situatë e re që kërkon që të takohem sërish me kryetarin e LDK-së dhe, në anën tjetër, të kthehem në LVV për ta diskutuar rrugën përpara”.
“Për bindjen time dhe të gjithë deputetëve, e konsiderojmë të papërgjegjshme, të dëmshme dhe absurde një sjellje të tillë, ku pas tri palë zgjedhjesh duket se ka vullnet të shkojmë për të katërtën herë në zgjedhje. Për të katërtën herë nuk di pse duhet që, pa arsye, pa nevojë, të shkojmë në zgjedhje të parakohshme”.
Kurti, tutje e ka quajtur marrëveshjen me LDK-në një lajm të mirë për skenën politike në Kosovë dhe ka falenderuar Abdixhikun, Osmanin e Hazirin si ekip negociues.
“Me keqardhje na duhet të themi që marrëveshjen politike që e arritëm me aq shumë mund. E falënderoj ekipin negociues të LDK-së, kryetarin Lumir Abdixhiku, Vjosa Osmanin dhe Lutfi Hazirin. Është një lajm i mirë për skenën politike në Kosovë”, deklaroi Kurti, pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të VV-së, raporton Ekonomia Online.




























