Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka dekoruar Komitetin Norvegjez të Helsinkit me Medaljen Presidenciale të Meritave, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të çmuar për Kosovën.
Me këtë rast, U.D. Presidentja Haxhiu priti në takim Sekretaren e Përgjithshme të Komitetit Norvegjez të Helsinkit, Berit Nising Lindeman, dhe Zëvendëssekretarin e Përgjithshëm, Gunnar M. Ekelove-Slydal.
“Në periudhën kur shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut në Kosovë mbeteshin larg vëmendjes ndërkombëtare, Komiteti Norvegjez i Helsinkit ishte ndër organizatat e para perëndimore që i dokumentoi dhe i bëri të njohura ato ndërkombëtarisht, duke ndihmuar që Kosova të bëhej pjesë e agjendës së institucioneve dhe mekanizmave ndërkombëtarë për të drejtat e njeriut”, tha U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo vlerësoi edhe mbështetjen që Komiteti u dha organizatave vendore për të drejtat e njeriut dhe rolin e tij në përcjelljen e informatave të besueshme për gjendjen në Kosovë te institucionet ndërkombëtare.




























