Lajmet

Siguria Energjetike, Prattipatti: Kosova varet shumë nga importi, tre vitet e fundit kanë shënuar rritje drastike

28.05.2026 17:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Print
Siguria Energjetike, Prattipatti: Kosova varet shumë nga importi, tre vitet e fundit kanë shënuar rritje drastike

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka organizuar diskutimin me temë: “Shfrytëzimi i Gazit Natyror të Lëngshëm (LNG) të SHBA-së për Sigurinë Energjetike dhe Bashkërendimin Strategjik të Kosovës”.

E ngarkuara me punë të posaçme e ShBA-ve, Anu Prattipatti ka thënë se Kosova është shumë e varur nga importi i energjisë elektrike dhe se në tre vitet e fundit është rritur dramatikisht shumë importi.

“Duke mbledhur bashkë ekspertë, biznese, vendimmarrës dhe palë të interesit për të ekzaminuar nevojat afatgjata të Kosovës për energji, kjo iniciativë është një kontribut i rëndësishëm për të ardhmen ekonomike dhe energjetike të Kosovës. Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm përpjekjet e Kosovës për të ndërtuar një sektor energjetik më të sigurt, më të besueshëm dhe më të larmishëm (të diversifikuar). Siguria energjetike është siguri kombëtare, dhe diversifikimi i energjisë është thelbësor për arritjen e kësaj sigurie. Furnizimi i brendshëm me energji elektrike i Kosovës nuk po mban hapin me rritjen e kërkesës. Ndërsa kjo hapësirë zgjerohet, Kosova po bëhet gjithnjë e më shumë varur nga importet e kushtueshme të energjisë elektrike nga tregjet fqinje. Në tre vjetët e fundit, importet e energjisë elektrike kanë shënuar një rritje dramatike: nga 116 milionë euro në vitin 2023, në 142 milionë euro në vitin 2024, deri në një shifër rekord të të gjitha kohërave prej 259 milionë eurosh në vitin 2025. Këto kosto në rritje ndikojnë tek familjet, bizneset dhe në konkurrueshmërinë e përgjithshme të Kosovës. Në të njëjtën kohë, ne vazhdojmë të dëgjojmë nga kompanitë amerikane, veçanërisht në sektorët e TIK-ut (teknologjisë së informacionit dhe komunikimit) dhe mbrojtjes, shqetësime se problemet me besueshmërinë e energjisë po bëhen një pengesë për investimet e ardhshme në Kosovë”, tha Pratipatti.

Ajo tha se energjia e besueshme nuk është vetëm një çështje teknike, por lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin ekonomik, klimën e biznesit dhe interesat strategjike të një vendi, prandaj dialogë të tillë janë shumë të rëndësishëm.

“Energjia e besueshme nuk është thjesht një çështje teknike; ajo është një çështje ekonomike, një çështje e klimës së biznesit dhe një çështje strategjike. Kjo është arsyeja pse bisedat si kjo e sotmja janë aq të rëndësishme. Shtetet e Bashkuara besojnë se ekziston një mundësi e rëndësishme për një bashkëpunim më të thellë dhe afatgjatë energjetik midis dy vendeve tona përmes gazit natyror të lëngshëm amerikan (LNG), i cili është i bollshëm dhe i besueshëm. Investimi që tani në infrastrukturën e nevojshme për të sjellë LNG-në amerikane në Kosovë do të ndihmonte në diversifikimin e përzierjes energjetike të Kosovës, duke krijuar njëkohësisht një sistem më fleksibël dhe më elastik. Ndryshe nga termocentralet me thëngjill (linjit), impiantet e gazit natyror mund ta rrisin ose ulin prodhimin me shpejtësi, si dhe ofrojnë kapacitet kritik të depozitimit gjatë muajve të dimrit, kur kërkesa dhe çmimet arrijnë pikun. Për të qenë të qartë, ne nuk po themi të zëvendësoni linjitin tuaj; ne po themi se ky do të ishte një plotësues shumë i mirë për thëngjillin tuaj ekzistues dhe të bollshëm këtu. Dhe koha ka rëndësi”, tha ajo.

Anila Beqa, shefe e kabinetit në ministrinë e Ekonomisë tha se politikat energjetike kanë të bëjnë me shume aspekte ekonomike.

“Politika energjetike sot nuk ka më të bëjë vetëm me prodhimin e energjisë elektrike. Ajo ka të bëjë me qëndrueshmërinë, me përballueshmërinë e çmimeve, me sovranitetin, konkurrueshmërinë dhe pozicionimin strategjik afatgjatë në një mjedis gjeopolitik dhe ekonomik gjithnjë e më të pasigurt. Në shumë aspekte, kjo është pikërisht sfida me të cilën po përballen sot të gjitha qeveritë në mbarë Evropën. Siç e ka theksuar me të drejtë ministrja Rizvanolli në diskutime të mëparshme rajonale, nuk ekziston një rrugë e vetme tranzicioni që u përshtatet të gjithëve. Çdo vend duhet të vlerësojë me kujdes realitetet e veta strukturore, bazën e burimeve dhe interesat strategjike afatgjata kur përcakton të ardhmen e tij energjetike.Për Kosovën, ky diskutim duhet të nisë nga pika jonë reale e nisjes. Kosova mbetet një nga vendet e pakta në rajon pa infrastrukturë vendore të gazit, pa sistem transmetimi të gazit, pa kapacitete magazinimi, pa rrjete shpërndarjeje dhe pa një treg funksional të gazit”, tha Beqa.

Ajo tha se Kosova është vend me potencial të pashfrytëzueshëm për energji të ripërtëritshme.

“Në të njëjtën kohë, ne jemi gjithashtu një vend me potencial të konsiderueshëm ende të pashfrytëzuar për energji të ripërtëritshme, me mundësi të mëdha në teknologjitë e magazinimit dhe fleksibilitetit, si dhe me mundësi në rritje për integrim në tregun rajonal të energjisë elektrike. Pikërisht për këtë arsye, strategjia energjetike e qeverisë është përqendruar në ndërtimin e një sistemi energjetik të larmishëm, të qëndrueshëm dhe të orientuar drejt së ardhmes, i mbështetur në disa shtylla kryesore: përshpejtimin e investimeve në energji të ripërtëritshme, modernizimin e infrastrukturës së transmetimit dhe shpërndarjes, investimin në bateri për magazinimin e energjisë dhe fleksibilitetin e sistemit, përmirësimin e efikasitetit energjetik përmes investimeve në familje, ndërtesa publike dhe biznese, forcimin e integrimit në tregjet rajonale, si dhe sigurimin e furnizimit afatgjatë me energji duke mbrojtur njëkohësisht përballueshmërinë për qytetarët dhe industrinë,” tha Beqa.

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!
© infosot.com


Kallas: BE-ja nuk do të jetë kurrë një ndërmjetëse neutrale midis Ukrainës dhe Rusisë

Kallas: BE-ja nuk do të jetë kurrë një ndërmjetëse neutrale midis Ukrainës dhe Rusisë

Muharremi: Punëtorët e privatit pa bonus, zyrtarët publikë me pagë të 13-të

Muharremi: Punëtorët e privatit pa bonus, zyrtarët publikë me pagë të 13-të

Siguria Energjetike, Prattipatti: Kosova varet shumë nga importi, tre vitet e fundit kanë shënuar rritje drastike

Siguria Energjetike, Prattipatti: Kosova varet shumë nga importi, tre vitet e fundit kanë shënuar rritje drastike

Policia e Kosovës prezanton masat e sigurisë për zgjedhjet e 7 qershorit

Policia e Kosovës prezanton masat e sigurisë për zgjedhjet e 7 qershorit

100 eurot, hapet aplikimi për punëtorët e sektorit privat

100 eurot, hapet aplikimi për punëtorët e sektorit privat

Premtimi i Kurtit për mbrojtje nga vërshimet, Lladrovci: “Nga e thëna në të bërë është një det i tërë”

Premtimi i Kurtit për mbrojtje nga vërshimet, Lladrovci: “Nga e thëna në të bërë është një det i tërë”

Britanikët OSBE’së për zhvillimet në Kosovë: Duhet stabilitet institucional, na shqetëson mungesa e normalizimit me Serbinë

Britanikët OSBE’së për zhvillimet në Kosovë: Duhet stabilitet institucional, na shqetëson mungesa e normalizimit me Serbinë

Në korrik nis gjykimi ndaj 21 të akuzuarve për masakrën e Reçakut

Në korrik nis gjykimi ndaj 21 të akuzuarve për masakrën e Reçakut

Maqedonci takon ndihmëssekretarin amerikan të Luftës, diskutohet thellimi i bashkëpunimit Kosovë-SHBA

Maqedonci takon ndihmëssekretarin amerikan të Luftës, diskutohet thellimi i bashkëpunimit Kosovë-SHBA

Sveçla: Qindra aplikime nga shtetas serbë për shtetësi të Kosovës

Sveçla: Qindra aplikime nga shtetas serbë për shtetësi të Kosovës

Sveçla: Xhandarmëria do të mbrojë kufijtë dhe sovranitetin e Kosovës

Sveçla: Xhandarmëria do të mbrojë kufijtë dhe sovranitetin e Kosovës

OVL UÇK – Prokurorisë Speciale: Etiketimi i Clarkut dhe Rubinit si të njëanshëm ju zhyt në armiqësi politike

OVL UÇK – Prokurorisë Speciale: Etiketimi i Clarkut dhe Rubinit si të njëanshëm ju zhyt në armiqësi politike

Kurti: Mbështetjet financiare nuk lidhen me fushatën zgjedhore, janë përgjigje ndaj inflacionit

Kurti: Mbështetjet financiare nuk lidhen me fushatën zgjedhore, janë përgjigje ndaj inflacionit

Kurti: Xhandarmëria domosdoshmëri përballë kërcënimeve terroriste dhe grupeve paraushtarake

Kurti: Xhandarmëria domosdoshmëri përballë kërcënimeve terroriste dhe grupeve paraushtarake

Kosova merr nën kontroll hekurudhën në veri, Sveçla: Është pjesë e rrjetit tonë

Kosova merr nën kontroll hekurudhën në veri, Sveçla: Është pjesë e rrjetit tonë

Konjufca: SHBA-të nuk janë vetëm aleati ynë kryesor strategjik por partner i pazëvendësushëm

Konjufca: SHBA-të nuk janë vetëm aleati ynë kryesor strategjik por partner i pazëvendësushëm