Duke qenë se jeni personazh publik… a do të thotë kjo se kujdeseni shumë për imazhin dhe përgatiteni mirë për tu paraqitur?
Fakti që më njohin nuk ndikon aspak, kujdesem njësoj për veten edhe në qytet apo shtete ku nuk më njeh askush. Siç thotë Daphne Guiness, një ikonë bashkëkohore e modës, “përballohet më mirë egërsia e jetës kur je e veshur bukur”. Mirëpo ka ditë që gjej kënaqësi edhe e futur në pantallona të gjera, t-shirt dhe këpucë të sheshta.
Cilat janë detajet e modës më të preferuarat?
Sipas rastit dhe periudhave, një kohë kam pasur rripat, çorapet, çantat, shallet, një kohë tjetër bizhuteritë. Tani për shembull jam në një fazë kur nuk mbaj asnjë stoli. Njëfarë fryme minimaliste. Nuk po ja gjej dot shpjegimin (buzëqesh).
Në çfarë shkalle është e rëndësishme veshja për një personalitet? A transmetoni mesazhe nëpërmjet veshjes?
Gjithnjë ka një mesazh, edhe në mos qoftë i ndërgjegjshëm është i nënvetëdijshëm. Status social, gjendje shpirtërore etj.
Sa domethënëse janë trendet e botës për juve?
Janë pjesërisht të rëndësishme, kur dua të spikas dhe mikloj anën time femërore. Siç thotë “Coco Chanel”, ajo që mbetet pasi kalon pasioni i modës është stili. Më pëlqen postmodernizmi, një vizitë në të shkuarën duke e pasuruar atë me elemente të bashkëkohores. Kjo është arsyeja pse më frymëzon Galliano. Mund të veshësh pa drojën se po bën faux-pas [gabim] elemente veshjesh të para një shekulli që risjellin madhështinë e Charles Frederic Worth apo shkëlqimin e Madeleine Vionet, stilin dekadent të kabaresë, minifundin revolucionar të Mary Quant, bluzat e dekonstruktuara dhe thuajse futuristike të Martin Margiela-s, apo elemente të kostumit popullor shqiptar. Një grua është një univers, – janë të shtresëzuara shumëçka në të, formimi personal, prirja individuale, arketipet e grave të familjes dhe vendit – kurse veshja është refleks i këtij universi.
A ndodh që të këshilloheni me dikë në lidhje me lukun tuaj?
Kur dal për shoping me ndonjë mikeshë. Janë këshillime rastësore.
Cilët krijime të huaja ju pëlqejnë më shumë? Dhe me cilët krijues kosovarë bashkëpunoni më së shumti?
Janë shumë. Ndër italianët admiroj Prada-n dhe Cavalli-n, pastaj vijnë francezët: Lanvin, Balenciaga, shqiptaro-francezi Izet Curri, përmenda më herët Gallianon, më duken shumë novatorë Alexander McQueen, Comme des Garcons. etj. Duhet të bëj patjetër vend këtu për rrobaqepësin tim, z.Fadil Sahiti, sa herë që ana ime krijuese më shtyn të aventuroj.
Sigurisht që dëshironi të blini shumë? Ku praktikoni më shumë të bëni shoping?
Parisi. Por nuk ngurroj, kudo ku shkoj, të bëj “reprezalje” nëpër qendra tregtare nëse kam kohë.
Çfarë nuk do kishit veshur asnjëherë?
Nuk kam ndonjë “listë të zezë”.
Sipas jush, kush vishet më mirë në Kosovë, kush ka stil më të mirë nga fytyrat publike?
Ka disa. Jehona Sopi më vjen ndërmend për momentin.
Për çfarë ëndërroje kur ishe e vogël?
Të bëja vepra heroike.
A këndoni derisa bëni dush?
Të kënduarit nuk e lidh domosdoshmërisht me dushin.
Në koncertin e kujt keni dëshirë të merrni pjesë?
Mora pjesë së fundi në koncertin e Diana Krall – një këngëtare e mrekullueshme e jazz-it.
Prej kujt merrni më shumë këshilla apo mendime?
Prej autorëve të preferuar – librave, e sigurisht prej miqve të mi.
Cili është honorari më i volitshëm i juaji?
Kush tha që punoj me honorare?
Çfarë ju frikëson?
Vetminë në pleqëri, nuk do doja ta provoja. Investojmë kaq fort gjatë jetës pikërisht për të ndërtuar siguritë që do të na mbronin kur të jemi vulnerabël e senilë: në pleqëri, saqë do t’ishte e pamëshirshme ta përfundonim rrugëtimin në këtë botë, të vetmuar.
Me kë grindeni më shumë?
Me njerëzit më të afërt, atyre që nuk u mbetet qejfi nga ndonjë ton i ngritur i çastit. Më kalon shpejt zemërimi. Nga individët që nuk i vlerësoj ose që nuk kuptohemi distancohem, nuk humbas kohë të grindem.
A jeni turpëruar ndonjëherë nga ndonjë paraqitje e juaj?
Në ëndrra të këqija e makthe mbase. Në jetën reale më ka ndodhur të kem veshje jo fort të përshtatshme, – përshembull të kem shkuar me xhinse në një darkë klas pasi më ishin vonuar bagazhet dhe nuk kisha gjetur kohë të bëja shoping, – por jo deri në kufijtë e turpërimit.
Cilin libër jeni duke lexuar momentalisht?
Kam zakonin e të lexuarit paralelisht të disa gjërave: revistave (The Economist, Foreign Affairs, Foreign Policy), librave – për momentin kam në dorë atë të Anna di Lellio-s, për betejën e Fushë-Kosovës “Batle for Kosovo, an Albanian epic” si dhe sapo bleva romanin e Mira Meksit “E kuqja e demave”. Për çdo vjeshtë lexoj nobelistin e radhës – po shfletoj “Everything I Possess I Carry with Me” të Herta Muller.
Cila është dëshira juaj më e madhe e pa realizuar?
Ëndrra e fëmijërisë, të performoj aktin tim heroik.
Pushimi ideal?
Ai në të cilin maksimumi i përpjekjes intelektuale është shprehja “më kalo të lutem vajin e plazhit”, banja turke e sauna, not dhe lexim.
Herën e fundit që keni qenë në kinema?
Gjatë verës, vajtja në kinema bën pjesë në kalim-kohën time të preferuar kur ndodhem jashtë vendit.
Moto e juaj e jetës?
Në faza të ndryshme, kam moto të ndryshme. I pandryshueshëm në këtë ndryshim është fakti që kam moto.



















