Zyrtari i PDK-së akuzon VV-në, por harron se partia e tij historikisht kishte një kandidat për kryetar

E publikuar: 21/01/2018 14:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një zyrtar i PDK-së i ka quajtur cirk zgjedhjet në Vetëvendosje për shkak se është vetëm një kandidat për Kryetar. Bujar Cakolli ka harrur se edhe në partinë e tij gjithmonë ka qenë vetëm një kandidat për kryetar të saj. Hashim Thaçi por edhe Kadri Veseli janë bërë Shefa të PDK-së pa kundërkandidat, shkruan Gazeta Express.
Sikurse në PDK e Hashim Thaçit e Kadri Veselit, edhe partitë e tjera dilnin me një kandidat për kryetar të partisë, AAK me Ramush Haradinaj, ndërsa për herë të parë në LDK pas vdekjes së Presidentit Ibrahim Rugova, kishin qenë dy kandidatë për kryetar të kësaj partie Fatmir Sejdiu dhe Nexhat Daci.

Sidoqoftë, Bujar Cakolli, zyrtar i PDK’së thotë se në VV po bëhet cirk pasi ka vetëm një kandidat për Shef të Partisë.

“Edhe kjo është e lejueshme në demokraci. Gara dhe loja bëhet nga një njeri, për një njeri. Kqyrni cirk pa pagesë, së paku për sot”, ka shkruar Cakolli në FB, transmeton Gazeta Express.

Por, edhe Partia e Cakollit, PDK, prej pasluftës ka pasur vetëm një kandidat për Kryetar. Hashim Thaçi gjithmonë ka qenë i vetëm për të marrë kreun e PDK’së.

Pas tij, edhe Kadri Veseli ishte ngjitur në krye të partisë pa pasur kundërkandidat,

Edhe në AAK vazhdimisht shkohet me një kandidat. Ai është Ramush Haradinaj.

Zgjedhjet e brendshme në Vetëvendosje po zhvillohen në kohën kur kjo parti është ndarë në dy krahë. Në atë të Albin Kurtit dhe krahu tjetër i Dardan Molliqajt.

Por, në garën për Shef të VV-së është vetëm Albin Kurti, i cili ka thënë sot se partia e tij është më demokratikja në Kosovë.