Zyrtari kosovar i përgjigjet ministres nga Shqipëria

E publikuar: 16/08/2017 08:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas kthimit nga një seminar të mbajtur në Gjakovë, ministria Karabina i ka kërkuar llogari Kosovës se pse nuk është akomoduar në hotel me 5 yje.

Pra, pse në Gjakovë s’ka hotel për nivelin e zonjës Karabina.

Më anë të një e-maili të shkruar keq, më plot gabime drejtshkrimore, ajo që shihet është fakti se Karabina kërkon llogari se pse nuk ka qenë akomoduar mes luksit, por në një hotel normal.

Por ja se si i përgjigjet zyrtari i Kosovës që është dhe organizator i këtij aktiviteti:
“E nderuar zonja Gjishti!

Fillimisht uroj të jeni mirë dhe më ndjeni që nuk arrita me kohë të jep sqarime lidhur me çështje konkrete që ngre letra Juaj.
Kisha skajshmërisht shumë punë rreth seminarit dhe nuk më mbetej kohë për postën. Por, një imejl i përsëritur, i ardhur si Cc edhe në adresën time, më obligon që aktualisht në shenjë respekti, mirësjellje e kontributi eventual për kompletimin e të dhënave në kontekst të letrës Suaj, deri në leximin e kujdesshëm të raporteve/pyetësorëve e vetëvlerësimeve (anonime) të mësueseve e të mësuesve, t’ju sqaroj si më poshtë:
– Pothuaj se për shumicën e zërave/njësive të seminarit, të cilat ju i afishoni në letrën tuaj, shpresoj se do të kemi vlerësimin e sqarimet e nevojshme nga personat përgjegjës të logjistikës së Seminarit (akomodimi, sallat, pajisjet, ushqimi, higjiena etj;) dhe mbase e mira e kësaj pune është se ata (të të dy ministrive homologe) ishin aty, i dinë këto punë shumë më mirë se unë (unë personalisht dhe shumica e mësueseve, duke punuar në shtetet e demokracive më të zhvilluara, kanë marrë shumëçka nga një kod tjetër i sjelljes, ku titullari i shtetit /i çdo niveli/ duhet të gjendet në sallë edhe para kohës së shpallur) dhe i posedonin edhe dokumentet/marrëveshjet e arritura paraprakisht (shkurt 2017) me hotelin;
– Shikuar nga perspektiva ime, fillimisht si autor e më vonë bashkautor i konceptit të zhvilluar më tej të kësaj ngjarjeje, përtej subjektivizmit e sentimenteve të mia me të (seminarin), aq sa arrita të qëmtoj vlerësimet e mësuesve e të mësueseve, e them me plot kompetencë profesionale e kënaqësi se në veçanti në rrafshin e formatit didaktik më janë realizuar pritjet;
– Në raport me gjuhën mjaft ‘agresive’ të letrës Suaj, më duhet t’ju sqaroj se, ndër të tjera, nuk e pata të lehtë ta ‘qeveris’ apo ta zbus zemërimin e mësuesve për vonesën deri në 30 minuta të fillimit të punimeve të seminarit dhe heqjen nga agjenda të komunikimit të hapur (debatit), të planifikuar ditën e parë në linjën: mësuesit/et- ministrat respektivë të tri ministrive; – Puna e hetimit/auditimit edhe buxhetor/financiar për mua është një normalitet/rutinë, që ka ndodhur dhe duhet të ndodhë edhe me këtë rast, prandaj më keni të hapur me të gjitha letrat e të dhënat që posedoj;
– Një raport integral e me kompetencë të plotë (nga ana ime) do ta bëj ditët në vazhdim, natyrisht mbështetur, fillimisht, në (vetë)vlerësimet/gjykimet e mësuesve, sepse seminari u dedikohet atyre dhe mund të mbijetojë vetëm nëse u përshtatet interesave e nevojave të tyre (bile në këtë rrafsh, ua bëj me dije të gjithë subjekteve se edhe më tutje bazën e buxhetit të seminarit e përbën investimi personal i mësuesit/es në para, kohë, durim e guxim profesional, angazhim e përkushtim patriotik etj., që thënë shkurt mund të emërtohet si ndërgjegje kulturore)
Me respekt,
Nuhi Gashi”