Zyrtarë të lartë kinezë dhe amerikanë zhvillojnë bisedime gjithëpërfshirëse në Zyrih

E publikuar: 07/10/2021 11:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kina dhe ShBA-ja kanë përfunduar të mërkurën raundin e tyre të fundit të bisedimeve në Zyrih të Zvicrës.

Politikani dhe diplomati i lartë kinez Yang Jiechi dhe këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan diskutuan një sërë çështjesh me përparësi në marrëdhëniet midis dy fuqive globale, përfshirë Detin e Kinës Jugore dhe Tajvanin.

Një deklaratë e Ministrisë së Punëve të Jashtme kineze e quajti takimin “një shkëmbim gjithëpërfshirës, të sinqertë dhe të thelluar të pikëpamjeve mbi marrëdhëniet Kinë-SHBA dhe çështjet ndërkombëtare dhe rajonale me interes të përbashkët”.

Sipas deklaratës, takimi ishte konstruktiv dhe në dobi të rritjes së mirëkuptimit të ndërsjellë. Të dy palët ranë dakord të ndërmarrin veprime për të zbatuar frymën e telefonatës së 10 shtatorit midis dy krerëve të shteteve, për të forcuar komunikimin strategjik, për të menaxhuar siç duhet dallimet, për të shmangur konfliktet e konfrontimet, për të kërkuar përfitime të ndërsjella dhe për të punuar së bashku për të promovuar kthimin e marrëdhënieve Kinë-ShBA në rrugën e duhur të zhvillimit të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm.

Yang Jiechi vuri në dukje se trajtimi siç duhet marrëdhënieve kino-amerikane është një çështje me interes themelor për të dy vendet e popujt dhe për të ardhmen e botës.

Yang Jiechi tha se Kina u kushton rëndësi deklaratave të fundit pozitive të presidentit Biden lidhur me marrëdhëniet kino-amerikane dhe vëren se pala amerikane ka shprehur synimin e saj për të mos frenuar zhvillimin e Kinës dhe për të mos u përfshirë në një “Luftë të Ftohtë të re”. Pala kineze shpreson që pala amerikane të ndjekë një politikë racionale dhe pragmatike ndaj Kinës dhe të bashkohet me Kinën në respektimin e interesave kryesore dhe shqetësimeve kryesore të njëri–tjetrit, duke ndjekur rrugën e respektit reciprok, bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta midis Kinës dhe ShBA-së.

Yang Jiechi shtjelloi pozicionin e prerë të Kinës në çështjet që lidhen me Tajvanin, Hong-Kongun, Xinjiang-un, Tibetin, Detin e Kinës Jugore dhe të drejtat e njeriut, dhe i kërkoi palës amerikane të respektojë sovranitetin, sigurinë dhe interesat e zhvillimit të Kinës .

Pala amerikane shprehu respektimin e saj ndaj politikës së “Një Kine”, thuhet në deklaratën e MPJ-së. Të dy palët shkëmbyen gjithashtu mendime mbi ndryshimet klimatike dhe çështjet rajonale me shqetësim të përbashkët dhe ranë dakord të ruajnë dialogun e komunikimin e rregullt për çështje të rëndësishme.

Sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë të publikuar pas takimit, Sullivan e bëri të qartë gjatë bisedës së tij me Yang Jiechi se ShBA-ja “do të vazhdojë të investojë në forcën e vet kombëtare dhe do të punojë ngushtë me aleatët dhe partnerët e vet”. Ndërkohë, ShBA-ja gjithashtu “do të vazhdojë të angazhohet me Kinën në një nivel të lartë për të siguruar një konkurrencë të përgjegjshme”.