Zyrtare: Në “Copa America” edhe disa ekipe Europiane

E publikuar: 26/04/2017 22:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Konfederata e Futbollit të Amerikës së Jugut aprovoi reformën e shumëpritur për turneun që do të zhvillohet pas dy vjetësh.

Edicioni i vitit 2019 që është programuar për t’u zhvilluar në Brazil do të ketë 16 kombëtare finaliste nga të cilat 10 do të jenë nga Amerika e Jugut, Por risia më e madhe do të jetë që 6 të tjera do të vijnë nga Europa, Amerika Qendrore dhe Azia.

Ftesa do t’i drejtohet kombëtareve më të mira si Spanja, Portugalia, Italia dhe Franca me opsionin për të përfshirë më pas edhe formacione nga Azia. Sipas asaj që referon gazeta braziliane Globoesporte, edicioni i 2019 do të jetë i fundit për këtë ndarje kohore pasi kompeticioni do të marrë një format të rregullt çdo 4 vjet.

Zgjerimi i “Copa America” lind më së shumti për arsye financiare siç ndodhi për botërorin e futbollit që kaloi nga 32 në 48 ekipe.

Por në bazë të formulës së re të CONMEBOL, është dhe shtimi i spektaklit. Brazili, Argjentina, Uruguaj do të jenë mes 10 ekipeve të turneut ndërsa do të ketë gjithashtu dhe prezencën e Amerikës Qendrore, historikisht pjesëmarrëse në edicionin plot ngjyra dhe gola.

/ Top Channel