Zvarritet prej muajsh projekti i kolektorit të ujërave të zeza

E publikuar: 09/09/2017 11:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zyrtarët komunalë të Podujevës e kanë bartë përgjegjësinë te niveli qendror për realizimin e projektit të kolektorit të ujërave të zeza në këtë komunë.

Ky projekt që do të realizohet nëpërmjet kredisë nga Austria, sipas komunarëve tash varet kryekëput nga Qeveria e Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.

Zëdhënësi, Nazmi Elezi, ka thënë se Komuna i ky kryer obligimet e veta sa i përket këtij projekti. Ai para dy muajsh kishte paralajmëruar se ndërtimi i kolektorit të ujërave të zeza do të fillonte shumë shpejt.

“Komuna e Podujevës ka kryer të gjitha obligimet lidhur me fillimin e realizimit të projektit të ndërtimit të kolektorit kryesor”, kishte thënë Nazmi Elezi.

Por, kjo nuk ka ndodhur. Zyrtarët komunalë më herët e kishin bërë edhe një premtim tjetër për fillimin e këtij projekti. Në muajin shkurt të këtij viti ishte nënshkruar marrëveshja ndërmjet kryetarit të Komunës së Podujevës, Agim Veliu, dhe përfaqësuesit të kompanisë austriake “WDS BauGmbH”, Thomas Dieringer, për ndërtimin e kolektorit kryesor për ujëra të zeza. I pranishëm në këtë takim ka qenë edhe Christoph Gierlinger nga kompania ÖSTAP. Në këtë njoftim të Komunës së Podujevës thuhej se ndërtimi i këtij kolektori do të fillojë në muajin prill, por që nuk ka ndodhur.