Zv/ ministri Hoti flet për propagandën e Serbisë, Asociacionin, marrëveshjen historike…

E publikuar: 24/06/2018 10:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komisioni i Punëve të Jashtme i Demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit të SHBA-ve dje ka reaguar ashpër lidhur me lajmet e rreme që po i lobon Serbia për pengimin e njohjeve të shtetit të Kosovës. Por, për këtë Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti thotë se Serbia ka marrë një ‘shuplakë’ të merituar.

Sipas tij, roli i lajmeve të rreme aktualisht ka epiqendër Rusinë dhe shërbimet e saj të specializuara.

Nënkryetari i PDK-së ka dhënë tri përgjigje me të cilat beson se janë mjaft serioze për t’ia ofruar Serbisë.

Tutje, ai në një intervistë për “Indeksonline” ka folur edhe për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe (AKS). Sipas tij, duhet të përmbushen tri kritere themelore që të respektohet Kushtetuta e vendit.

Ndërkaq, Hoti sa i përket marrëveshjes historike ndërmjet Kosovës e Serbisë, nuk beson se do të arrihet një gjë e tillë. Ai tregon arsyen se pse e mohon këtë.

Intervista e plotë:

Indeksonline: Z. Hoti, dje Komisioni i Punëve të Jashtme i Demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit të SHBA-ve ka reaguar ashpër në lidhje me lajmet e rreme që po i lobon Serbia vazhdimisht për pengimin dhe anulimin e njohjeve të shtetit të Kosovës, duke përdorur edhe propagandën mediale?

Hoti: Reagimi i ashpër që vjen nga Komiteti dhe nga Departamenti i Shtetit i SHBA-s është një dëshmi pa ekuivokë se Pavarësia e Republikës së Kosovës jo vetëm është e pakthyeshme, e përhershme, por shteti fqinj, Serbia kësaj radhe mori një shuplakë të merituar në lidhje me përhapjen e lajmeve të rreme kundrejt pavarësisë dhe njohjes së Republikës së Kosovës prej shteteve tjera.

Roli i lajmeve të rreme aktualisht me epiqendër Rusinë dhe shërbimet e saj të specializuara ka kohë që është duke i dëmtuar shumë procese demokratike, ekonomike e strategjike nëpër vende të ndryshme të botës. Por derisa në shumë vende të ndryshme të botës ‘FakeNeës’ janë të mbuluara nëpër mediat sociale mjaft mirë, në rastin konkret ‘FakeNews’ prodhon një Ministër, një President, një Kryetar Kuvendi i një shtetit fqinj. Dhe këtu ndryshon puna. Por, në anën tjetër, nuk është e befasishme as kjo. Sepse një komb që ka ndërtua identitet të rremë që 700 vjet, nuk e ndjen peshën e marrëzisë dhe të krimit kurrë në masën që e krijon atë.

Indeksonline: Çfarë do të mund të ndërmerrnin në këtë drejtim institucionet e Republikës së Kosovës? Cila do të ishte përgjigjja e mundshme?

Hoti: Mendoj se në këtë drejtim do të mund t’i ofronim mjaftë përgjigje serioze Serbisë.

E para, ‘Dialogu’ me Serbinë ‘për normalizim’ duhet trajtuar, por jo me prioritet. Nuk kemi përse i krijojmë‘avantazhe politike’ përfaqësuesve të shtetit që ende nuk e kanë marrë përgjegjësinë për luftën dhe krimet që kanë bërë në Kosovë;

E dyta, klasa politike duhet të merret vesh më parë ndërmjet veti e më pas të deklarohet në lidhje me këtë çështje e jo e kundërta. Nuk ka përse përfiton askush politikisht nga relacioni ‘i marimit’ me Serbinë. Është çështje shumë serioze për ta perceptuar si agjendë elektorale;

E treta, dialogu nuk duhet të vazhdojë duke u injoruar opozita. Kjo nuk guxon të ndodhë, pavarësisht se opozita mund të bëjë më shumë sesa duhet ojna për këtë çështje. Ajo, fundja, përse është opozitë;

E katërta, mendoj se duhet të jetë e pranishme në këtë ‘marim’ edhe shoqëria civile dhe komuniteti fetar.Shoqëria civile do ta ruante vijën patriotike të interesave shtetërore e kombëtare të Republikës dhe nuk do të mund të shantazhohej, gjë që, për diçka të tillë, nuk do të mund ta vija dorën në zjarr kur është në pyetje klasa aktuale politike. Kam mëdyshje se Serbia dhe Vëllai i Madh i saj mund ta gjunjëzojë establishmentin politike shqiptar jo vetëm në Kosovës.Kemi qenë gjatë të pushtuar prej tyre për të qenë kaq shpejt aq të lirë. Prandaj, shoqëria civile do ta luante rolin e saj të fuqishëm, pavarësisht se ajo mund të jetë me ‘mike me Beogradin’ sesa ‘politika’, sepse është e pangarkuar dhe si e tillë do ta kërkonte rikthimin e saj të serishëm. Shoqëria civile e Kosovës është e etur për patriotizëm dhe duhet lejuar që ajo të shuaj atë etje. Tash e një kohë gjithçka është bërë vetëm politikë pa nivel të respektuar gjithandej. Pa vlerë dhe sistem.

Indeksonline: Si të ndalet apo të disiplinohet politika e Beogradit që të mos e dëmtoi Republikën e Kosovës?

Hoti: Besoj fuqishëm se Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Haradinajka një shans në rrafshin e ‘masave ekonomike’. Njëra prej veprimeve që do të sjellë në ‘normalitet’ Ministrin e Millosheviqit (Daçiq) dhe Presidentin e Sheshelit (Vuçiq) do të ishte një hap ‘i matur dhe i parë në ekonomi’. Kosova nuk ka përse të ushqehet me prodhimet e Serbisë kur ky shtet po mendon seriozisht të zhbëjë atë. Më fal, më thjesht se kaq nuk ka. Do ta dëshiroja hapin e z. Haradinaj në këtë drejtim. Do ta këmbente më shumë importin për eksportin, do t’i ofronte më shumë shansa prodhimeve vendore, bujqësia dhe të gjitha prodhimet vendore do të merrnin më shumë hapësirë. Njëkohësisht një lëvizje e tillë do ta bënte ‘me më dinjitet barkun e shtetit fqinj’, i cili e merr valutën prej Kosovës, por nuk e do atë me shqiptarë. Serbia të respekton vetëm kur e sheh se e ke seriozisht punën më të. Në të kundërtën ajo edhe ashtu është e ndërtuar me identitet të rremë tash e 700 vjet dhe nuk e ka telashe manipulimin me të pavërteta ose gjysmë të vërteta.

Indeksonline: Asociacioni po vjen dhe duket se qeveria tashmë ka një draft të saj?

Hoti: ‘Asociacioni’ duhet t’i përmbush së paku tri kritere themelore për ta respektuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës:

E para, parimin se Republika e Kosovës është e shqiptarëve dhe e të gjitha komuniteteve që jetojnë brenda saj;

E dyta, ‘Asociacioni’ duhet ta jetë këshillues,duke e respektuar lirin e asociimit të Kushtetutës dhe vetëm mbi këtë parim mund të themelohet;

E treta, ‘Asociacioni’ duhet të ndërtohet brenda parimit shumetnik të Kushtetutës së Republikës, pa e privilegjuar komunitetin jo shumicë serb përballë komuniteteve tjera jo shumicë dhe as përballë komunitetit shumicë shqiptar.

Serbisë duhet t’i bëhet e qartë se ajo nuk mund t’i hapë asnjë portë dhe asnjë nivel tjetër të ligjshmërisë jashtë kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Serbia duhet t’i bëhet e qartë se Republika e Kosovës nuk ka agjenda personale të asnjë individi a të ndonjë komuniteti në dëm të komuniteteve tjera.

Indeksonline: Po flitet shumë për marrëveshjen historike ndërmjet Republikës së Serbisë dhe Republikës së Kosovës?

Hoti: Nuk mendoj se Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë janë në gjendje të arrijnë marrëveshje historike. Asnjëra palë nuk e ka fuqinë në vetvete për vendimmarrje të tilla. Serbia është në telashe me mentalitetin e identiteti të vet të rremë 700 vjeçar, kurse Kosova ende nuk është rritur politikisht për ta kuptuar peshën e vendimeve të tilla. Kur shqiptarët e bën edhe një hap drejt lirisë, ata befas po e dëshmojnë në vetvete paaftësinë për ta menaxhuar me Lirinë. Sado e dhimbshme që duket kjo, mjerisht është e vërtetë! Por kjo nuk ndërlidhet ekskluzivisht vetëm me shqiptar apo me serb. Shih grekët, e vodhën Bashkimin Europian me dekada, e mashtruan vetveten, e vodhën veten dhe blen shpirtra të gjallë etnikë për t’i bërë grekë. Ballkani, jo rrallë, është më misterioz sesa thellësitë e pazbuluara të oqeaneve./Indeksonline/