Zjarri në Stacionin policor në Drenas dyshohet se është shkaktuar nga pakujdesia, IPK rekomandon suspendimin e tre punonjësve

E publikuar: 19/01/2021 14:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Të hënën rreth orës 13:00 zjarri kishte përfshirë Zyrën e arkivit të stacionit policor në Drenas, ndërsa lidhur me këtë janë suspenduar sot tre punonjës të Policisë.

Inspektorati Policor i Kosovës bëri të ditur se ka rekomanduar suspendimin e tre punonjësve të Policisë së Kosovës (dy zyrtarë policorë dhe një nga stafi civil i PK-së), ndërsa dyshohet se është shkaktuar nga pakujdesia.
“Hetuesit e IPK-së janë njoftuar dje për një rast zjarri në zyrën e arkivit të Stacionit policor në Drenas. Nga zyrtarët policor janë ftuar edhe ekipet e zjarrfikësve. Zjarri është lokalizuar përderisa hetuesit e IPK-së së bashku edhe me njësitet tjera relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes duke hetuar rrethanat që karakterizojnë ngjarjen me qëllim ndriçimin e shkaqeve të zjarrit e që sipas hetimeve fillestare dyshohet se është shkaktuar nga pakujdesia”, thuhet në njoftim.
Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tre punonjësve të Policisë së Kosovës (dy zyrtar policorë dhe një nga stafi civil i PK-së) lidhur me rastin e njëjtë.

Rekomandimi për suspendim që është bërë në interes të procedurës hetimore me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale të “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Në njoftim më tej thuhet se hetuesit në koordinim me prokurorinë kompetente do të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të rrethanave të këtij rasti.