Zhvillohet në Gjenevë Videofestivali i 2-të i Gjuhës Kineze i CMG-së

E publikuar: 20/04/2022 16:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Të mërkurën u zhvillua në Gjenevë të Zvicrës Videofestivali i 2-të i Gjuhës Kineze i Grupit Mediatik të Kinës (CMG) me rastin e Ditës së Gjuhës Kineze të OKB-së. Drejtorja e përgjithshme e Zyrës së OKB-së në Gjenevë Tatiana Valovaya, drejtori i CMG-së Shen Haixiong dhe përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Zyrën e OKB-së në Gjenevë Chen Xu morën pjesë në festival e mbajtën fjalime.

Në fjalimin e saj, Tatiana Valovaya u shpreh se Dita e Gjuhës Kineze e OKB-së përkrah gjithmonë shumëllojshmërinë kulturore dhe promovon përdorimin e shumë gjuhëve. Kinezishtja është një nga gjuhët më të lashta në botë dhe mençuria kulturore e trashëguar nga kjo gjuhë është pjesë e rëndësishme përbërëse e qytetërimit njerëzor. Videofestivali i CMG-së hapi dyert e kulturës tradicionale kineze dhe ka krijuar një mundësi të mirë për përhapjen e kulturës kineze te brezi i ri dhe folësit joamtarë të gjuhës kineze.

Drejtori i CMG-së Shen Haixiong u shpreh se si një nga mediat kryesore ndërkombëtare, CMG-ja do të vazhdojë të mbajë përgjegjësinë mediatike të kohës, do të thyejë pengesat dhe do të shtojë njohjen me veprime konkrete, për t’i sjellë botës më shumë qetësi e paqe. Shen theksoi gjithashtu se, nëpërmjet mjeteve të integruara të transmetimit “Ide + art + teknologji”, videofestivali i CMG-së do të shfaqë zhvillimin e kulturës tradicionale kineze në epokën e re dhe ndërthurjen e qytetërimeve të ndryshme botërore.

Nga ana e tij, përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Zyrën e OKB-së në Gjenevë Chen Xu shprehu shpresën se Dita e Gjuhës Kineze e OKB-së do të vazhdojë të luajë rolin e dritares e të urës për të tërhequr më shumë të huaj ta njohin Kinën, ta duan kulturën kineze dhe t’i kushtojnë vëmendje zhvillimit të Kinës.

Shumë zyrtarë të organizatave ndërkombëtare morën pjesë në videofestivalin e CMG-së nëpërmjet videolidhjes. Sekretari i përgjithshëm i Bashkimit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit Zhao Houling u shpreh se Dita e Gjuhës Kineze e OKB-së është një ditë e rëndësishme përkujtimore për zgjerimin e ndikimit ndërkombëtar të gjuhës e të kulturës kineze. Ai shprehu shpresën që kjo ditë do të nxitë më shumë njerëz ta njohin magjinë e qytetërimit e të kulturës kineze dhe kontributin e dhënë prej tyre për qytetërimet botërore. Kurse kryetari i komisionit kulturor të Zyrës së OKB-së në Gjenevë Francesco Pisano u shpreh se kultura dhe artet janë mënyra të rëndësishme shkëmbimesh mes vendeve të ndryshme. Ai e falënderoi CMG-në për zhvillimin e videofestivalit me rastin e Ditës së Gjuhës Kineze të OKB-së dhe tha se festivali i ka ndihmuar njerëzit ta njohin më mirë kulturën kineze.