Zgjedhjet në Veri/ Sot mbyllet afati për partitë politike që ta njoftojnë KQZ-në për mospjesëmarrje

E publikuar: 13/03/2023 08:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Më 23 prill pritet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – dhe zgjedhjet e parakohshme për dy kuvendet komunale – Zveçan dhe Leposaviq. KQZ ka filluar zbatimin e planit operacional për organizimin e këtyre zgjedhjeve, ku 13 marsi është vendosur si data e fundit kur partitë politike mund ta njoftojnë këtë institucion për mospjesëmarrje në zgjedhje.

Sot është dita e fundit, kur partitë politike mund të dorëzojnë njoftim zyrtar për mospjesëmarrje në zgjedhje. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Afati i vendosur nga KQZ-ja për partitë politike për të deklaruar mospjesëmarrjen në zgjedhje është deri më 13 mars”, tha ai.

Elezi bëri të ditur se deri në orën 15:00 të së premtes, në KQZ 8 parti politike i kanë dërguar njoftimet zyrtare për mospjesëmarrje

“Duke filluar nga data 9 mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar zbatimin e planit operacional për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok dhe zgjedhjeve të parakohshme për kuvendet komunale të dy komunave: Zveçan dhe Leposaviq, të cilat do të mbahen më 23 prill 2023. Mund t’ua konfirmoj se deri më tani (10 mars 2023, 15:00) kemi pranuar deklarimet për mospjesëmarrje në zgjedhje nga 8 parti politike: Partia Demokratike e Diasporës, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Pokret za Gora, Socialdemokratska Unija, Fjala, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Kosovaki Nevi Romani Partia, Partia Demokratike e Unitetit”, ka thënë Elezi.

Lista Serbe të enjten ka deklaruar se nuk do të marrin pjesë në zgjedhje, mirëpo njoftim zyrtar në KQZ nuk ka dërguar.

Kujtojmë që afati për të aplikuar për certifikim është i hapur deri më 22 mars.

Kushtet e serbëve për të marrë pjesë në zgjedhje

Në dhjetor, kur edhe deklaruan se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet që u patën caktuar për 18 dhjetor, Lista Serbe paraqiti kushtet e saj për të garuar në zgjedhje.

Ndërkaq, të enjten, ata deklaruan se përpos që nuk do të marrin pjesë në ato zgjedhje të jashtëzakonshme për shkak se nuk janë plotësuar kërkesat që i kanë shkaktuar largimin e tyre nga institucionet e Kosovës, nuk do të marrin pjesë në asnjë zgjedhje derisa të plotësohen kërkesat e tyre legjitime.

Kushtet e tyre ishin tërheqja e vendimit për targat dhe nisja e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Kjo konkretisht do të thotë – derisa ai (Albin Kurti) të tërheqë vendimet e njëanshme dhe të kundërligjshme për riregjistrim, derisa të formojë Asociacionin e Komunave Serbe në përputhje me marrëveshjen e parë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të lidhura në këtë çështje në dialog”, kishte deklaruar Rakiq.

Çështja e targave është zgjidhur, derisa tash është vëmendja te asociacioni, për çka pritet të nënshkruhet në takimin e 18 marsit.