Zgjedhjet e 25 prillit, Meta: Ndëshkoni ata që duan të blejnë votën tuaj

E publikuar: 15/04/2021 20:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, e ka mbështetur mesazhin e Konferencës Ipeshkvnore tё Shqipërisë e cila iu bën thirrje shqiptarëve të dalin masivisht në zgjedhjet e 25 prillit.

Kreu i shtetit shqiptar gjithashtu iu kërkon qytetarëve të ushtrojnë të drejtën e tyre të votimit, derisa paralajmëroi se kushdo që tenton ta prekë votën e lirë do ta ketë vendin në burg.

“E përshëndes mesazhin e fuqishëm dhe frymëzues të Konferencës Ipeshkvnore tё Shqipërisë, që inkurajon pjesëmarrjen masive të qytetarëve në zgjedhjet historike të 25 prillit, një e drejtë dhe detyrim moral ndaj momentit më të rëndësishëm të jetës demokratike dhe së ardhmes europiane të Shqipërisë”.

“I bëj gjithashtu jehonë thirrjes së tyre për të mos rënë në grackën e kujtdo, që kërkon t’i trajtojë qytetarët shqiptarë si plaçkë, që shitet e blihet por të votoni me vullnet të lirë dhe për ata kandidatë, të cilët duhet ta meritojnë besimin tuaj! Kush falsifikon, kush tenton të tjetërsojë dhe të prekë votën, do ta ketë vendin në burg”, ka shkruar ai në rrjetet sociale.