Zërat për zgjedhje të parakohshme u heshtën me riformatimin e Qeverisë

E publikuar: 30/06/2019 15:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Maqedonisë së Veriut që drejtohet nga kryeministri Zoran Zaev, me gjasë do të përfundojë mandatin pa zgjedhje të parakohshme parlamentare, që shumë herë ishin përmendur si mundësi nga vetë kreu i Qeverisë.

Me riformatimin e Qeverisë, që u votua të enjten në mbrëmje, është përjashtuar mundësia e zgjedhjeve sikur edhe ajo e një qeverie krejt të re me kryeministër të ri. Zaev, para deputetëve, ka theksuar përkushtimin e tij për të vazhduar me kursin e reformave.

“Unë jam i bindur se deri në fund të vitit, në dhjetor, kemi shanse të mëdha që të bëhemi anëtare e NATO-së. Jam i bindur se do t’i hapim edhe bisedimet me BE-në. Do të përkushtohemi maksimalisht edhe në përmbushjen e reformave”.

“Kisha paralajmëruar ndryshime dhe ato po ndodhin në përputhje me pritjet dhe perceptimin e qytetarëve. Përveç në Qeveri, ndryshime do të ketë edhe në drejtoritë dhe ndërmarrjet publike. Besoj se rezultatet nuk do të mungojnë”, ka deklaruar kryeministri, Zoran Zev.

Riformatimi i Qeverisë ka përfshirë pesë ministri, të ekologjisë, bujqësisë, financave, pushtetit lokal, ndërsa ministria e re e sistemit politik, zëvendëson sekretariatin për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Disa prej ministrave nuk janë shkarkuar, por kanë kaluar në pozita apo resorë të tjerë.

Opozita, nga ana tjetër, nuk beson se Qeveria do të arrijë t’i zbatojë reformat e nevojshme. Ajo ka thënë se është e gatshme të japë kontributin e saj për afrimin e vendit drejt Bashkimit Evropian, por me qasjen e saj, Qeveria, sipas deputetit Aleksandar Nikollovskit, nuk është aspekt reformues, përkundrazi me politikat që po udhëheq kjo Qeveri, vështirë se do të mund të marrë datën e nisjes së bisedimeve për anëtarësim në BE.

“Për fat të keq, përshtypja e përgjithshme është se Maqedonia dy vite radhazi nuk po merr datën për fillimin e bisedimeve pasi Qeveria e Zaevit nuk po i zbaton reformat. Nuk po i zbaton reformat në luftën kundër korrupsionit, nuk po e përmirëson ekonominë dhe nuk po vendos sistem funksional në sundimin e së drejtës. Ekonomia çdo ditë e më tepër po fundoset, korrupsioni po lulëzon dhe nuk kemi një sistem të qëndrueshëm të drejtësisë”, thotë Nikollovski.

Aleanca për Shqiptarët në opozitë, riformatimin e Qeverisë e ka quajtur komedi dhe aktrim, ndërsa ka përsëritur kërkesën për zgjedhje të parakohshme për të larguar, siç ka thënë, Qeverinë kriminale.

Edhe njohësit e çështjeve politike kanë drejtuar kritika në adresë të Qeverisë për ngecjen e reformave, para së gjithash për shkak të pritjeve të mëdha, që, sipas tyre, kanë pasur qytetarët pas ndërrimit të pushtetit, dy vjet më parë.

“Kuptohet e para ka të bëjë me sundimin e së drejtës, që ende nuk është në nivelin që ishte premtuar. Opinioni ka pritur shumë më tepër dhe ishte pikërisht politizimi i këtij pushteti që kishte çuar në rënien e Qeverisë së kaluar. Së dyti kemi ngecjen e reformave tjera që kanë të bëjnë me afrimin e vendit drejt strukturave euroatlantike, por edhe çështjet e ekonomisë, ku po ashtu kishim premtime të shumta, ndërsa gjendja nuk është e favorshme”, vlerëson analisti politik, Petar Arsovski.