Zeqiri: E pamë Ukshin Hotin duke dalë nga dera e burgut, shpresojmë që është gjallë

E publikuar: 23/05/2022 23:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

I mbijetuari i masakrës së Burgut të Dubravës, Sadik Zeqiri, kujton ditën kur ishte liruar nga burgu veprimtari i njohur Ukshin Hoti.

Ai thotë se lirimi i tij i gëzoi të gjithë, ndonëse ishte e pazakontë që një i burgosur të lirohet të dielën nga burgu. Ai tutje rrëfen atë çfarë kishin arritur të shihnin nga dritaret atë moment.

“Ka qenë diku ora 11:00, e kemi parë një njeri që po del nga burgu, paviloni B. Ai ka qenë i shoqëruar nga një civil i cili ishte i veshur në rroba serioze edhe ka qenë duke ju prirë më përpara një gardian. Ky civili ishte një punëtor i sigurimit shtetëror, domethënë ai që e ka marrë Ukshin Hotin sepse as personat të cilët e kanë pasur në dhomë Ukshin Hotin nuk e dinë se kush ka qenë ai civil, të paktën nuk e kanë njohur. Ai i ka prirë Ukshin Hotiti edhe gardiani. Ne e kemi parë atë njeri duke dalë nga burgu nga dritaret dhe jemi gëzuar shumë që po lirohet dhe nuk e kemi ditur që ai është Ukshin Hoti dhe nuk e kemi ditur që për fatin e tij edhe sot kur po flasim ne nuk dihet asgjë por jemi gëzuar sepse janë gëzuar edhe pavijoni B, madje ata thonë kur kanë dalë me përcjellë Ukshin Hotin vetëm dy ose tre personave ua kishte dhënë dorën duke thënë se nuk kemi nevojë të përshëndetemi sepse së shpejti do të shihemi në Kosovën e lirë sepse sikurse që po dal unë do të dilni edhe ju edhe është përshëndetur me të gjithë nga distanca”, rrëfen Zeqiri për Tëvë1.

Tutje gjatë emisionit Zeqiri rrëfen edhe për lirimin e një personi tjetër nga burgu, të njëjtën ditë me Ukshin Hotin për të cilin thotë se është gjetur i vrarë në varreza në Pejë.

Zeqiri thotë se e kishte dëgjuar kur gardianët e burgut i kishin thënë Pepshit se ishte liruar dhe se ishte detyre e tyre ta përcillnin deri në qytetin e Pejës.

“Shkelzen Pepshit është gjetur diku nga viti 2004 ose 2005 në varrezat e Logjës ose të Lugut të Baranit është gjetur i vrarë. Trupi i Ukshin Hotit nuk është gjetur kurrë, po shpresojmë që është gjallë, po shpresojmë të gjenden ata që e kanë marrë sepse Ukshin Hoti nuk ka pas të lirohet me 16 maj, Ukshin Hoti ditën e fundit të burgut e ka pasur më 17 maj. Domethënë ditën e hënë i kish mbush 5 vite dënim, atë e kanë liruar një ditë më përpara dhe nuk dihet asgjë për fatin e tij”, shtoi ai në fund.