Zenun Pajaziti planifikoi ta emëronte vëllanë në bordin e “Hidromoravës” (Audio/Foto)

E publikuar: 05/10/2016 16:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Telefonata e realizuar më 2011 mes Adem Grabovcit, shefit të vjetër të deputetëve të PDK-së dhe Zenun Pajaziti, shefit të ri të grupit parlamentar, është cilësuar nga prokuroria si bisedë më përmbajtje të kryerjes së veprës penale. Insajderi ka zbuluar se në mesin e atyre që dy deputetët e PDK-së synojnë ta emërojnë në poste të larta, përmendet edhe emri i vëllait të Zenun Pajazitit.

Në mesin e mbi njëzet vetave që synuan bordin e “Hidromoravës” në Gjilan gjendet edhe emri i vëllait të Zenun Pajazitit.

Pajaziti i përgjigjet me “Po” Adem Grabovcit, kur ai lexon emrin e vëllait të tij dhe pret përgjigje se a është i duhur për bord të ndërmarrjes publike.

 “Po bon me shti, tani e kqyrum”, pohonte Pajaziti kur lexohet emri i vëllait të tij, raporton Insajderi.

Gëzim Pajaziti nuk arriti të emërohej në bordin e kësaj ndërmarrjeje. Procesi i emërimit të anëtarëve të rinj të bordeve më 2011 nuk lëvizi drejt finalizimit. Qeveria pati vendosur që anëtarëve aktual t’ua vazhdonte mandatin.

Tek mosfinalizimi i konkursit, shefi i ri i grupit parlamentar të PDK-së e sheh shpëtimin e tij.

“Më vjen mirë që Prokuroria interesohet për përgjimet e mia dhe të Grabovcit. Por te përgjimet e sotme bordi në fjalë ka dështuar. Besoj se nuk ka arsye edhe për deklaratë shtesë në lidhje me këtë”, deklaroi sot Pajaziti.

 Ai nuk ka dashur të komentojë më shumë lidhur me bisedën mes tij dhe Grabovcit të publikuar sot nga Insajderi.

Por dështimi i bordit nuk e amniston Pajazitin. Biseda që ai ka zhvilluar me Grabovcin, sipas Prokurorisë, përbën vepër penale.

Neni 35 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës i cili flet për “marrëveshjen për të kryer vepër penale”, thotë se “Kushdo që merret vesh me një apo me më shumë persona për të kryer vepër penale dhe një apo më shumë nga ata persona ndërmerr çfarëdo veprimi të rëndësishëm për kryerjen e veprës penale dënohet me dënimin e paraparë për atë vepër penale”.

Ky nen parasheh dënim edhe në rastet kur vepra ka mbetur në tentativë .

Tentativa e dytë për ta emëruar Gëzim Pajazitin në krye të “Hidromoravës”

Tentativa për ta emëruar Gëzim Pajazitin në krye të ndërmarrjes “Hidromorava”, është e dyta prej se Partia Demokratike e Kosovës e ka marrë pushtetin.

Para gati tetë vitesh, më 30 dhjetor të vitit 2008 kishte marrë vendimin për emërimin e anëtarëve të rinj në bordet e ndërmarrjeve publike. Ishin bordet e para nën qeverisjen e Partisë Demokratike të Kosovës, të udhëhequr ish-kryeministri Hashim Thaçi, tash president.

Kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi, në ditët e para të qeverisjes së tij, kishte marrë vendim që ministrat nuk mund të jenë pjesë e bordeve të ndërmarrjeve publike. Kishte pohuar se këto vende janë të parapara për ekspertët, e jo për politikanët.

Shoqëria civile atëkohë kritikonte fuqishëm mbajtjen e posteve drejtuese në ndërmarrje publike nga ministrat e koalicionit LDK-AAK. Et’hem Çeku, Bujar Dugolli e Haki Shatri ishin më të kritikuarit.

Vendimi i Thaçit ishte vlerësuar me nota pozitive. Por, në praktikë gjërat nuk kishin ndryshuan shumë. Në vend të ministrave, në borde të ndërmarrjeve publike ishin emëruar të afërt të politikanëve.

Një prej tyre ishte Gëzim Pajaziti, vëllai i Zenun Pajazitit. Në dhjetorin e vitit 2008 ishte emëruar në postin e kryetarit të bordit të ndërmarrjes publike të ujërave “Hidromorava”, në Gjilan.

Vëllai i Zenun Pajazitit ishte larguar nga posti pas presionit të Peter Feith

Gëzim Pajaziti nuk kishte qëndruar aty më shumë se katër muaj. Ishte larguar me presionin e ndërkombëtarëve. Atëkohë, më 2008 dhe 2009, Qeveria, për miratimin e anëtarëve të bordit, duhej të përfillte rekomandimet e Peter Feith, Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar (ICO).

Ai ishte i pakënaqur me zgjedhjet që kishte bërë qeveria e drejtuar nga Thaçi. Feith kishte shprehur publikisht dyshimet e tij për emërimet e anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike.

Ishte deklaruar i zhgënjyer me faktin se ICO nuk është informuar nga Qeveria e Kosovës në kërkesën se a janë të aftë profesionalisht të emëruarit nëpër borde. Po ashtu, kishte hedhur dyshime për afërsinë e tyre me politikën, përkatësisht partitë në pushtet PDK dhe LDK.

I kishte shkruar direkt kryeministrit Hashim Thaçi dhe i kishte kërkuar rishikim të vendimeve.

Drejtuesit e Qeverisë kishin deklaruar se do ta informonin Feith-in lidhur me përgatitjet profesionale të të emëruarve në borde.

Presioni i ICO-së kishte bërë që të Qeveria Thaçi të zmbrapsej. Disa prej të emëruarve ishin shkarkuar menjëherë pas tre muajsh, në mars të vitit 2009. Një prej tyre ishte Gëzim Pajaziti, vëllai i Zenun Pajazitit. /Insajderi/