Zemaj apelon që të mos manipulohet me numrin e vdekjeve

E publikuar: 31/07/2020 15:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka qëndruar sot për vizitë në spitalin rajonal të Gjakovës, ku ka shprehur mirënjohjen për personelin mjekësor, i cili edhe sot në ditën e festës së Kurban Bajramit po vazhdon punën me shumë përkushtim.

Ai me këtë rast bëri thirrje që situata me koronavirus të mos përdoret politikisht dhe të mos manipulohet me numrin e vdekjeve, duke iu referuar kështu pohimeve të deputetit të Vetëvendosjes Agon Batusha i cili dje tha se për dy orë kanë vdekur 5 pacientë, gjë e cila u demantua nga ana e vetë spitalit rajonal në Gjakovë.

“Që ky sistem të mos rëndohet, bëj thirrje që të ketë kujdes të shtuar dhe gjithashtu apeloj që kjo situatë të mos përdoret politikisht dhe të mos manipulohet me numrin e vdekjeve. Beteja jonë politike nuk duhet të bëhet në situatë të tillë fragjile. Në anën tjetër, edhe njëherë falënderoj të gjithë qytetarët që edhe sot po tregojnë mirëkuptim dhe përmbajtje”, ka thënë ministri Zemaj.

Ndryshe, dje në komunën e Gjakovës janë shënuar 3 viktima, në e tyre edhe mjeku, Kujtim Zarari, familjeve të të cilëve ministri Zemaj iu shprehu ngushëllime.