Zbulohet busti i senatorit Bob Dole në Prishtinë

E publikuar: 30/08/2020 15:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Me nderime të larta shtetërore, e nën intonimin e dy himneve të Kosovës dhe atij të SHBA-së, sot është mbajtur ceremonia e zbulimit të bustit të senatorit amerikan Bob Dole, i cili sot shënon tridhjetë vjetorin e vizitës së tij të parë në Kosovë.

Të pranishmit vlerësuan lart kontributin e tij, derisa theksuan se vizita e tij para tridhjetë vjetësh i dha drejtim tjetër shtetit të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se zbulimi i këtij busti është nder i miqësisë së përhershme në mes të popullit të Kosovës dhe Amerikës.

“Është nder i imi që pas një pune të ish-kryeministrit në vënien e gurthemelit, që sot bashkë me ambasadorin dhe bashkë me të gjithë juve që jeni prezentë të zbulojmë bustin e senatorit Dole. Një person që po të lexosh CV-n e tij padyshim që impresionohesh dhe unë jam i bindur që secili prej nesh e merr si simbol dhe shembull të përkushtimit që duhet të ketë një politikan një atdhetar për vendin e vet në luftë dhe në paqe. Ky bust do të jetë vend ku dhe gjeneratat e ardhshme do të mësojnë për historinë e ndërtimit të miqësive në mes të dy vendeve”, ka thënë Hoti.

Për ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, kjo ditë nuk është vetëm zbulim i një busti, mirëpo siç ka theksuar ai në këtë ditë po kremtohet jeta e një prijësi për kauzën e lirisë.

“Sot nuk po shënojmë vetëm shpalosjen e këtij busti, por po shënojmë edhe jetën e një heroi amerikan dhe një miku të vendosur të Kosovës, pikërisht në ditën e sotme para 30 vjetësh, senatori Bob Dolle erdhi për herë të parë në Kosovë dhe kjo është e rëndësishme, sepse shumë njerëz kanë vë në pah se vizita e tij ishte pikë kthimi për lirinë e Kosovës. Sot po e kremtojmë jetën e një prijësi, guximi dhe përkushtimi i të cilit për kauzën e lirisë ka frymëzuar aq gjatë popullin e ShBA-ve të Kosovës dhe miqve nëpër botë”, ka thënë ai.

Ndërsa, drejtori ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, ka thënë se vizita e senatorit Bob Dole i dha drejtim tjetër shtetit të Kosovës.

“Jehona e vizitës së senatorit Bob Dole dhe gjashtë senatorëve të tjerë tridhjetë vjet më parë në Kosovë, i dha drejtim tjetër rrugëtimit të Kosovës dhe hapjes së mundësive për ndërtimin e një shteti demokratik, i cili ofron perspektivë më të mirë, për qytetarët e sajë. Senatori Dole sot po jetësohet në Prishtinë dhe këtë në lagjen përmes të cilës nuk iu lejua të kalojë 30 vjet më parë, ku ishin mbledhur mijëra qytetarë që ta përshëndetnin. Busti i financuar bashkërisht nga Oda Ekonomike Amerikane dhe Qeveria e Kosovës, është simbol i së kaluarës dhe arritjeve të Kosovës gjatë këtyre tri dekadave”, ka thënë Zeka.

Përmes një video-mesazhi të pranishmëve iu është drejtuar edhe senatori Bob Dole, i cili duke kërkuar falje për mos prezencë, ka thënë se mbetet me shpresë që populli i Kosovës do të vazhdojë të përparojë dhe të bëhet gjithnjë e më i fuqishëm me kalimin e viteve.

Busti i senatorit amerikan Bob Dole u vendos në lagjen “Dardania” në Prishtinë, në rrugën që mban emrin e tij.

30 vjet më parë, më 29 gusht 1990, senatori Robert Dole, me gjashtë kolegë të tij, vizitoi Prishtinën, duke luajtur një rol të pakrahasueshëm në ndërkombëtarizimin e Kosovës.

Kjo vizitë shënon një moment historik në angazhimin amerikan në Kosovë dhe një nga arritjet më të mëdha në lobimin e komunitetit shqiptaro-amerikan për kauzën e Kosovës. /Q.Rexhaj/