Ymeri: Të dyja palët duhet të jenë të përkushtuara për të arritur marrëveshjen

E publikuar: 30/01/2023 23:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Analisti Visar Ymeri ka thënë se të dyja palët duhet të jenë të përkushtuara për të arritur marrëveshje dhe të njëjtën t’a kuptojnë si hap drejt paqes së qëndrueshme në rajon

Analisti Visar Ymeri në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini ka thënë se të dyja palët duhet të jenë të përkushtuara për të arritur marrëveshje dhe këtë marrëveshje t’a kuptojnë si hap drejt paqes së qëndrueshme në rajon.

Analisti Ymeri ka thënë se për Asociacionin duhet të diskutohet se cili prej versioneve është i papranueshëm për Kosovën dhe cili është optimal e i pranueshëm për të dyja palët.

“Çështja e rëndësishme që këtu duhet të diskutohet është të identifikohet se çfarë po kërkohet nga Kosova në këtë fazë për Asociacionin, sepse as këtë mendoj se nuk e kemi të qartë”, ka thënë Ymeri.

Ymeri ka shtuar se këtë duhet të bëjë kryeministri Kurti dhe të shpjegoj se çfarë po kërkohet.

“Tashmë Kosovës po i kërkohet të fillojë diskutimin, pra ideja është që dialogu Kosovë-Serbi të jetë duke u zhvilluar në binarë të ndryshëm”, ka shtuar ai duke potencuar se trysnia ndërkombëtar është e dyanshme dhe do të ketë masa ndëshkuese për të dyja palët nëse e prishin procesin.