Ymeri: Siria, shembull që tregon rrezikun kur vendi udhëhiqet nga interesi për dominim

E publikuar: 14/12/2016 14:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka reaguar ndaj ngjarjeve të fundit që po ndodhin në Halep, ku kanë humbur jetën mijëra njerëz.

Ai në një postim në rrjetin social Facebook ka shkruar se që solidarizohemi me civilët e pafajshëm, kjo nuk mjafton për të parë rrugët e daljes nga kjo vorbullë e përgjakshme.

Sipas tij, Siria është shembulli më ilustrues se sa e rrezikshme është bota kur marrëdhëniet ndërkombëtare udhëhiqen nga interesi vetjak për dominim.

Lexoni postimin e plotë të Ymerit në Facebook:

Ngjarjet e fundit në Halep kanë tronditur ndërgjegjen e njerëzve anembanë botës. Qindramijëra fëmijë e pleq të vrarë barbarisht, shtëpi e spitale të shkatërruara, persekutime, masakra e spastrime, janë këto pasojat e një lufte që nuk po kryhet tash e gjashtë vjet.

Asnjë interes ekonomik, kurrfarë influence gjeopolitike nuk e arsyeton këtë batërdi. Njerëzit atje po përballen me krime kundër njerëzimit, këto krime janë të dënueshme dhe duhen dënuar.

Ndërkohë që solidarizohemi me civilët e pafajshëm, kjo nuk mjafton për të parë rrugët e daljes nga kjo vorbullë e përgjakshme.

Siria është shembulli më ilustrues që na tregon se sa e rrezikshme bëhet bota kur marrëdhëniet ndërkombëtare udhëhiqen nga pragmatizmi- nga interesi vetjak për dominim. Në Siri tash e sa kohë po e pëson një popull i tërë, po i cenohet e shkatërrohet hapësira, po i pamundësohet jetesa e shkatërrohet e ardhmja.

Është desovranizuar për t’iu kontrolluar territori e resurset, e kështu po i cenohet liria e mirëqenia. Një paqe e përhershme është e mundur vetëm nëse zhduken shkaqet e luftës.