Ymeri Komenton Dënimet e Kurtit dhe të tjerëve

E publikuar: 03/01/2018 14:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri ka komentuar nëpërmjet Facebook-ut në lidhje me dënimin që Gjykata Themelore ua ka shqiptuar deputetëve Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli.

Sipas tij dënimet e sotme janë treguesi më i mirë për qëllimin politik të këtij rasti.

Postimi i Ymerit:

Dënimet e shqiptuara me rastin e shpalljes së aktgjykimit ndaj deputetëve janë treguesi më i mirë për qëllimin politik të këtij rasti.

Gjykata Themelore në Prishtinë, e përfaqësuar nga Beqir Kalludra shprehi supremacionin juridik dhe politik ndaj aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, dhe vullnetit të 205 mijë qytetarëve të cilët shprehën kundërshtimin e tyre në peticionin referendar ndaj marrëveshjeve që cenonin qenësinë e Republikës, për kundërshtimin e të cilave sot deputetët u shpallën fajtor.

Ky gjykim me këta gjyqtarë është mostra më kredibile që dëshmon diktatin politik ndaj sistemit gjyqësor.

Albini, Albulena, Donika dhe Fatoni janë përfaqësues të popullit në emër të të cilit sot u dënuan. Aktgjykimi si i tillë është akti më hipokrit që ka prodhuar ndonjë institucion vendor deri më tani dhe si i tillë është mjeti i fundit i persekutimit të kundërshtarëve politik./rtklive.com/