Pas ndalimi të sotëm të deputetit serb të Kuvendit të Kosovës, Sllobodan Petroviq, nga ana e xhandarmërisë së Serbisë në pikën kufitare në Merdare, ka reaguar Kuvendi i Republikës së Kosovës me anë të një komunikate për media.
“Deputeti Petroviq ishte duke udhëtuar në një vizitë familjare në Serbi (përkatësisht te motra e tij), në momentin kur është ndaluar (rreth orës 11:30) dhe intervistuar nga ana e xhandarmërisë serbe. Deputeti i katër legjislaturave të Kuvendit, njëherësh ish-nënkryetar i tij, Sllobodan Peptroviq, është liruar pas katër orë mbajtjeje dhe maltretimi nga ana e organeve serbe të sigurisë”.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës dënon ashpër ndalimin e deputetit të tij, duke e konsideruar atë akt të ulët dhe të papranueshëm, si dhe kërkon nga udhëheqja e Parlamentit të Serbisë që të distancohet dhe të dënojë rastin, i cili, si i tillë, paraqet shkelje flagrante të të drejtave të njeriut e të lëvizjes së lirë”, thuhet në reagimin e Kuvendit.


















