VV s’e do Thaçin negociator me Serbinë, kërkon që kjo çështje të kthehet në Kuvend

E publikuar: 25/03/2018 14:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Më 23 mars u mbajt në Bruksel takimi mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij serb Aleksandër Vuçiq, nën lehtësimin e Përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini.

Në këtë takim, Mogherini kishte kërkuar që Kosova të fillojë sa më parë themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, për çka presidenti Thaçi tha se Kosova do ta marrë përsipër pjesën e vet të obligimit dhe shumë shpejtë do ta formojë Ekipin Menaxhues i cili do të merret me draftimin e statutit për formimin e tij.

Xhelal Sveçla nga Lëvizja Vetëvendosje, në një konferencë për media ka folur në lidhje me takimin e dy presidentëve, duke thënë se Kosova nuk ka nevojë për një dialog të tillë të privatizuar nga Thaçi dhe kërkojnë që dialogu të kthehet fillimisht në Kuvend dhe kërkojnë edhe kyçjen e akterëve tjerë të rëndësishëm të Kosovës.

“Thaçi duhet të tërhiqet menjëherë nga këto negociata. Vuçiqi e ka bërë të qartë se Serbia do sa më parë marrëveshje me Kosovën, marrëveshje kompromise siç e quan ai, ku secila palë merr diçka. Me fjalë të tjera Vuçiqi po e vazhdon tezën e paraardhësit të tij Vojislav Koshtunica për Kosovën, më shumë anatomi e më pak pavarësi”, shtoi ai.

“Ne nuk kemi nevojë për një dialog të privatizuar nga presidenti Hashim Thaçi. Për dialogun duhet të debatohet në Kuvend. Duhet të marrin fund darkat e tij sepse janë të shtrenjta për qytetarin e Kosovës”, tha Sveçla.

Ka thënë se Kosova duhet të qartësojë se cili është qëllimi i këtij dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, pasi sipas tij, edhe kur po thuhet që duhet normalizim mes marrëdhënieve të dy vendeve, nuk po përcaktohet çka saktësisht./koha.net/