VV: Haradinaj shkeli ligjin duke ia vazhduar mandatin drejtorit të doganave

E publikuar: 31/01/2020 15:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka thënë se kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka shkelur ligjin kur ia ka vazhduar mandatin drejtorit të përgjithshëm të Doganave të Kosovës, raporton Gazeta Express.

Bajqinovci ka shkruar në Facebook se sipas Kodit Doganor duhet të krijohet komision dhe të shpallet konkursi për zgjedhjen e tij e pas kësaj propozimi i komisionit shkon te ministri i Financave.

“Kodi Doganor Nr. 03/L – 109, në nenin 5 (paragrafi 1) kërkon domosdoshmërisht krijimin e një komisioni dhe shpalljen e konkursit për zgjedhjen e tij. Pas kësaj, propozimi i komisionit shkon tek ministri i financave, i cili, tek atëherë e dergon rekomandimin tek kryeministri. Vendimi i kundërligjshëm i kryeministrit, thirret pikërisht në dispozitën ligjore të neni 5 pika 1, të Kodit Doganor, të cilin Vendimi i kryeministrit e shkelë vrazhdë në kuptimin material (në përmbajtjen e tij), ngase aty qartë është e rregulluar se duhet të shpallet konkurs dhe duhet vendim për përzgjedhje nga komisioni fillimisht”, ka shkruar ai.

Deputeti i VV-së ka thënë se veprimi i Haradinajt është shkelje e rëndë ligjore dhe abuzim i detyrës.

“Kjo është shkelje e rëndë ligjore e radhes dhe veprim arbitrar, abuzim me detyrën, shpërdorim i funksioneve e të mirave publike etj. Pastaj ne çuditemi se përse nuk kemi liberalizim të vizave. Qeveria në ardhje do të ndalojë këto abuzime me pasurinë e të mirat e përbashkëta”, është shprehur Bajqinovci. /Express/