Vuçiqi thotë se Serbia është “maksimalisht e përkushtuar” t’i zbatojë marrëveshjet me Kosovën

E publikuar: 27/04/2023 20:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka pritur në një takim përfaqësuesit e Grupit Punues të Këshillit të Zgjerimit të BE-së dhe të vendeve që zhvillojnë negociatat për anëtarësim në BE (COELA).

Në këtë takim, sipas njoftimit të presidencës serbe, Vuçiqi u ka thënë mysafirëve se “Serbia është maksimalisht e përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e marrëveshjeve të dakorduara”, raporton Klankosova.tv.

Veç tjerash, ai thuhet se u ka bërë thirrje përfaqësuesve të BE-së që të rrisin angazhimin e tyre për të zbatuar detyrimet e marra të Kosovës.

Ndërkaq, në emër të Presidencës suedeze të Trupit Punues të Këshillit të BE-së, Susanna Leesik, i tha Vuçiqit se vendi i tij duhet të përshpejtojë dhe zbatojë më tej reformat në fushat themelore, si sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore të njeriut, pavarësia dhe funksionimi i gjyqësorit, liria e shprehjes, duke përfshirë lirinë e medias dhe luftën kundër korrupsioni dhe krimi i organizuar.

Po ashtu, shtetet anëtare të BE-së në këtë takim përsëritën pritshmëritë e BE-së që Serbia, si një vend partner dhe kandidat për anëtarësim në BE, duhet të përafrohet me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, duke përfshirë masat kufizuese të BE-së. /Klankosova.tv