Vuçiqi paralajmëroi bojkotimin e samitit BE-Ballkani Perëndimor pas vendimit të Kurtit, Rama: Do të ishte katastrofë për të dhe Serbinë

E publikuar: 04/12/2022 12:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Rama-Abazovic-Vucic

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka ‘ndërhyrë’ në mosmarrëveshjen e fundit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq u raportua se ka kërcënuar se do ta bojkotojë samitin BE-Ballkani Perëndimor që mbahet më 6 dhjetor në Tiranë, pasi u indinjua me vendimin e Kurtit për ta emëruar Nenad Rashiqin ministër në Qeverinë e Kosovës dhe Rada Trajkoviqin zëvendëse të tij. I pyetur për këtë, Rama tha të dielën në një konferencë se Serbia do të jetë në samit pasi “nuk pa asnjë rrugë tjetër” dhe se e kundërta “do të ishte katastrofë” për Beogradin dhe Vuçiqin, raporton Gazeta Express.

“Unë nuk emocionohem nga anjë lloj deklarate që bëjnë politikanët për qëllime të politikës së tyre të brendshme. Serbia do të jetë në samit. Presidenti i Serbisë nuk ka asnjë rrugë tjetër përveç se të vijë në samit. Ua them këtë me bindje. Sepse e kundërta do të ishte katastrofë për Serbinë dhe për atë vetë natyrisht”, tha Rama.

Me një ton të ashpër të pazakontë, Deutsche Welle raportoi se Aleksandar Vuçiq e ka quajtur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti “llum terrorist”, duke u shprehur se ka zgjedhur “llumin më të keq serb nga fundi i koshit që nuk kanë kurrfarë besimi në Serbi, por që kanë besimin e Kurtit dhe të agjenturave perëndimore”.