Vuçiq: Do të flas me Erdoganin, por me SHBA-të nuk flas dot për Kosovën, ata janë sponsor të tyre

E publikuar: 29/03/2018 16:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se e dinte që arrestimi i drejtorit të Zyrës për Kosovë, Marko Gjuriq u urdhërua nga zyrtarët më të lartë të Prishtinës.
Në lidhje me këtë arrestim, Vuçiq ka thënë se ai nuk e di se kur dhe si do të negociojë me zyrtarët e Prishtinës të cilët kanë urdhëruar arrestimin e Gjuriqit.

“Nuk e di nëse do të vazhdojmë të bisedojmë me Prishtinën, sepse nuk e di se si do t’ia bëj me këtë”, është shprehur Vuçiq.

Ai ka theksuar se Prishtina nuk do të marrë vendime vetë për çdo gjë, transmeton lajmi.net.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në lidhje me një bisedë me presidentin rus, Vladimir Putin, Vuçiq ka thënë se është i mërzitur nga mediat të cilat e kritikojnë këtë bisedë.

“Kam biseduar me të gjithë. Të gjithë në Evropë flasin me Putin. Sot unë do të flas me Erdoganin, kam folur edhe me Federica Mogherinin në të njëjtën ditë”.

“Puna ime është të bisedoj me të gjithë rreth situatës në Kosovë dhe unë jam duke kërkuar përgjigje për atë që ka ndodhur. Është e vështirë të bisedohet me dikë që është sponsor i pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Vuçiq duke iu referuar SHBA-ve.

Ai ka thënë se për SHBA-të çdo gjë e shqiptarëve është e lejuar.

Vuçiq ka shtuar se liderët perëndimor me frikë thonë se janë të shqetësuar me përjashtim të Mogherinit e cila sipas tij pati guxim të shkonte menjëherë në Beograd.

“Serbia dëshiron të ruaj paqen dhe ky është qëllimi ynë më i rëndësishëm. Të gjithë dëshirojnë që ne të pranojmë fajin kur nuk e kemi. Ne jemi zvarritur si qen, thuajse jemi kafshë. Ne nuk e bëmë atë gjë, por ne jemi fajtorë sepse jemi të gjallë, jemi fajtor sepse jemi serbë dhe unë nuk shoh ndonjë faj tjetër”, ka përfunduar Vuçiq./Lajmi.net/