Vuçiq nga Tirana: Më ka ardhur në maje të hundës që duhet të japim justifikime për “Open Ballkan”

E publikuar: 21/12/2021 10:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë fjalës së tij në nisjen e takimit në kuadër të “Open Ballkan”, tha se objektivi më i rëndësishëm është që të lidhen njerëzit me njëri-tjetrin.

Ai njoftoi se mbrëmë në Tiranë ka biseduar me disa përfaqësues të bizneseve shqiptare dhe tha se ka parë një dëshirë të madhe nga ata për të bërë biznes në Serbi dhe Maqedoni të Veriut.

“Po të hapim kufijtë gjithçka që ne do të kemi bërë, objektivi më i rëndësishëm është të lidhim njerëzit me njëri-tjetrin, njerëz që në shkuarën kanë menduar më shumë për të shkuarën se sa për të tashmen. Kam pasur mundsinë që mbrëmë të bisedoja me disa përfaqësues të bizneseve shqiptare dhe pash një dëshirë të madhe për të bërë biznes në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut, njoh biznesmenë serbë që duan të investojnë në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut. Besoj që shumë më shumë qytetarë apo pushues do të vijnë nga Shqipëria dhe Zaqedonia në qytetet tona poashtu”.

“Ne kemi dëgjuar qytetarë dhe përfaqësues të bizneseve, kur ishim në Beograd, i dëgjuam me kujdes dhe filluam menjëherë kërkesat që ata kishin, përshembull për operatorët e autorizuar ekonomik, biznesi të bëhet më i lehtë, tregtia do të jetë më e lehtë. Ajo që unë besoj është që në të tre së bashku ose të gjithë së bashku, do të duhet që të diskutojmë hapat e mëtejshme sepse njerëzit dëshirojnë që të shohin më shumë rezultate dhe duhet t’i bëjmë gjërat më shpejt siç kemi bërë këto kohë”.

Vuçiq më tej tha se i ka ardhur në maje të hundës se duhet të justifikohen për “Open Ballkan”.

“Më ka ardhur pak në maje të hundës që ne duhet të japim justifikime, a thua se ne kemi bërë ndonjë gjë të gabuar dhe ne duhet t’iu kërkojmë ndjesë atyre që s’duan të jenë pjesë e kësaj iniciative, por ne nuk kemi më arsye që t’iu kërkojmë ndjesë atyre që nuk duan të jenë pjesë”, tha presidenti serb, njofton Klankosova.tv.