Vuçiq nesër takon përfaqësuesit e Listës Serbe dhe kandidatët për kryetar, shkak zgjedhjet lokale në Kosovë

E publikuar: 14/09/2021 20:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjatë ditës së djeshme presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani zhvilloi një takim me përfaqësuesit e partive politike në vend.

Pas këtij takimi presidentja Osmani bëri të ditur se nuk ka shtyrje të zgjedhjeve lokale, të cilat janë paraparë të mbahen më 17 tetor.

Pavarësisht situatës me pandeminë COVID-19, Osmani theksoi se nuk pati pajtueshmëri në mes të pozitës dhe opozitës që këto zgjedhje të shtyhen.

Ndërsa sot nga Komisioni Qendror Zgjedhor është bërë e ditur se fushata zgjedhore do të jetë një muaj, ashtu siç edhe parashihet me ligjin për zgjedhjet.

E pak kohë para se të fillojë fushata zgjedhore, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka vendosur që të takojë përfaqësuesit e Listës Serbe.

Vuçiq do të takohet nesër me kryesinë e Listës Serbe dhe kandidatët për kryetarë të komunave me shumicë serbë në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë.

Takimi është planifikuar të mbahet në ora 12:00 në ndërtesën e Sekretariatit të Përgjithshëm të Presidentit të Serbisë.