Vuçiq: Kemi presion të madh që ta njohim Kosovën

E publikuar: 09/05/2023 09:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se takimi me “pesëshen evropiane” më 20 janar ka qenë nga më të vështirat për të.

“Kur sheh kaq shumë sulme ndaj meje, ato nuk janë sulme ndaj meje, atyre nuk u intereson ndonjë Vuçiq. Për ata është e rëndësishme që Serbia të jetë e dobët. Nuk është faji im sepse jam i paarsyeshëm, por që nuk do të lejojë të ndodh ajo çfarë ata po propozojnë, që Serbia të humb gjithçka dhe të tjerët fitojnë”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka shtuar se Serbia nuk mundet pa Evropën, sepse 60 për qind e tregtisë së saj është me BE-në, shumica e investimeve vijnë nga BE-ja, ndërsa qindra mijëra njerëz punojnë në fabrikat e tyre.

Ai po ashtu ka deklaruar se në çdo takim ka qenë nën presion për të vendosur sanksione ndaj Rusisë, ndërsa kërkesat që Serbia ta njohë Kosovën janë bërë më rrallë, por me ton më të ashpër.

“Do të shohim, do të ketë bisedime në nivel teknik”. Pres një situatë të vështirë për njerëzit tanë në rajon, veçanërisht në bisedimet me Prishtinën. Do të ketë probleme, por ne nuk do të ikim nga biseda”, ka thënë Vuçiq

Ai ka deklaruar se “propozimi i Bashkimit Evropian për tejkalimin e situatës në veri të Kosovës, pas zgjedhjeve lokale në të cilat dolën vetëm rreth tre për qind e qytetarëve, dhe vetëm 13 serbë, është i drejtë”, por që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka refuzuar, pasi siç thotë ai, “dëshiron vetëm krizë”.

“Ata donin diçka që ishte relativisht e drejtë dhe Borrell u përpoq t’i shpjegonte Kurtit se nuk ka kuptim të mburremi për zgjedhjet me tre për qind të qytetarëve që dolën dhe se do të ketë probleme. Kurti është përgjigjur se këtë do ta zgjedh policia, sepse këto janë vetëm struktura kriminale”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka pretenduar se “propozimi i shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ishte që të vendoset një zgjidhje kalimtare, në mënyrë që brenda pak muajsh të mbahen zgjedhje të reja, me qëllim të formohet Asociacioni, kthimi i serbëve në institucione që të marrin autoritetet e tyre legjitime”.

“Kurti dëshiron krizë. Prandaj duhet të ngrihemi shpejt, që të kemi forcë dhe besim për të shpëtuar vendin tonë”, ka pretenduar Vuçiq.

I pyetur nëse mund të ketë ndonjë konflikt gjatë dorëzimit të pushtetit, Vuçiq ka thënë se “shpreson që të mos ndodhë, por ajo që shpreson nuk do të thotë asgjë”.