Vuçiq, Hillit: Serbët që jetojnë në Kosovë kërkojnë pa kushte formimin e Asociacionit të Komunave

E publikuar: 23/08/2022 14:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pritur sot ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Hill, me të cilin ka biseduar për situatën aktuale në rajon, veçanërisht pas raundit të fundit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të mbajtur javën e kaluar në Bruksel, njoftoi presidenca serbe.

Vuçiq i shpjegoi ambasadorit Hill qëndrimet e Serbisë që ai përfaqëson në dialogun me Kosovën. Ai tha se Serbia po i afrohet seriozisht gjetjes së një zgjidhjeje për krizën aktuale, siç pretendon ai, “të shkaktuar nga lëvizjet e njëanshme të Kosovës”.

Ai i ka thënë ambasadorit Hill se serbët që jetojnë në Kosovë kërkojnë pa kushte formimin e Unionit të Komunave Serbe.

“Duke theksuar tensionet që ekzistojnë në Kosovë, presidenti Vuçiq tha se është e rëndësishme që Prishtina t’i përmbahet marrëveshjes që Forcat Speciale të Kosovës mund të lëvizin në veri vetëm me pëlqimin e NATO-s dhe kryetarëve të katër komunave ku jetojnë serbët”, thuhet në deklaratën e presidencës serbe.