Vrasja e gruas në Bërzhitë, del autopsia (Video)

E publikuar: 09/03/2017 02:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Fatime Hida, 77 – vjeçarja nga fshati Mihajas i Bërzhitës në Tiranë, ka vdekur nga asfiksia e shkaktuar nga një rrobë me të cilën i ishte zënë goja.

Një veprim i tillë mund të jetë bërë me qëllim shmangien e ndonjë mundësie të gruas për të kërkuar ndihmë. Pasi gruaja është lidhur këmbë e duar dhe bllokuar gojën, ata e kanë lënë të moshuarën në dyshemenë e shtëpisë, ku edhe ka ndërruar jetë nga mungesa e frymëmarrjes.

Në këtë përfundim kanë mbërritur ekspertët mjeko – ligjorë pas autopsisë së kryer në trupin e të moshuarës, si dhe ekzaminimeve të tjera.

Burime nga Drejtoria e Policisë së Tiranës thanë për Televizionin Klan se autopsia konfirmoi vdekjen e gruas për shkak të bllokimit të rrugëve të frymëmarrjes.

Disa objekte janë sekuestruar në banesë. Ato do të ekzaminohen nga policia për gjurmë që mund të ndihmojnë hetuesit në zbardhjen e krimit.

Hetuesit kanë vijuar me pyetjen e dëshmitarëve që mund të kenë dijeni mbi rrethanat e vrasjes së gruas apo motiveve të mundshme. Dyshimet janë se autorët mund të jenë banorë të të njëjtit fshat e madje se mund të banojnë fare pranë saj.

Specialistët e hetimit të krimeve dyshojnë se ngjarja mund të ketë qenë një tentativë për grabitjeje e parave që mund të ketë pasur në banesë gruaja e moshuar.

Tv Klan