Voton Lutfi Haziri, apelon qytetarët që t’i shfrytëzojnë orët e mbetura për votim

E publikuar: 06/10/2019 16:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Shtabit Zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh udhëheqës i politikave të partisë në këtë fazë, Lutfi Haziri, ka votuar sot në shkollën fillore “Abaz Ajeti” në Gjilan.

Haziri me këtë rast ka thënë se është i kënaqur me procesin, ndërkaq ka apeluar qytetarët që t’i shfrytëzojnë edhe orët e mbetura për votim.

“Urimi im është që vota e tyre të zgjedh organet shtetërore dhe përfaqësuesit e tyre legjitim e kredibil. Në këtë ditë të bardhë, ata vendosin se kush do të qeveris në mandatin e ardhshëm. I lus të gjithë që këto tri orët e fundit të dalin të gjithë në votime, duke mos e lënë në mëshirën e kohës për asgjë”.

“Deri tash, jam jashtëzakonisht i kënaqur me procesin, pavarësisht disa problemeve të vogla në disa qendra përreth Gjilanit, për çka edhe i falënderoj organet e drejtësisë për ndërhyrjen rekorde”, ka qenë mesazhi i kryetarit Haziri.