Von Cramon takon zyrtaren e Europa Nostra-s, pas rekomandimit që manastiri të ruhet 24 orë

E publikuar: 15/07/2022 10:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Share:

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka takuar drejtuesen e Sekretariatit Ndërkombëtar të organizatës Europa Nostra, Sneška Quaedvlieg-Mihailovic me të cilën ka biseduar veçanërisht për Manastirin e Deçanit.

Sneška Quaedvlieg-Mihailovic ka qenë pjesë e delegacionit të kësaj organizate që vizitoi Kosovën javën e kaluar, të cilët insistuan që Manastiri i Deçanit duhet të ruhet 24 orë nga KFOR-i.

Von Cramon ka thënë se pati takim të hapur dhe produktiv me Sekretaren e Përgjithshme të Europa Nostras, me fokus të veçantë në Manastirin e Deçanit.

“Takim i hapur dhe produktiv me Sekretaren Gjenerale të Europa Nostra, mbi nevojën për të përmirësuar mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të rrezikuar në Evropë, me fokus të veçantë në Manastirin e Deçanit dhe trashëgiminë kulturore të shkatërruar në Ukrainë”, ka thënë Von Cramon.

Delegacioni i organizatës që merret me trashëgiminë kulturore në Evropë, Europa Nostra, e ka listuar Manastirin e Deçanit në 7 monumentet më të rrezikuara në Evropë për vitin 2021.

Këtë e kanë kundërshtuar institucionet e Kosovës, me arsyetimin se në asnjë rrethanë Manastiri i Deçanit nuk është i rrezikuar.

Por, Europa Nostra, pas përfundimit të vizitës kanë lëshuar një komunikatë ku kanë insistuar që objekti fetar ortodoks i shekullit të 14-të të ruhet 24/7 nga trupat e KFOR-it.

“Për shkak të sfidave komplekse të sigurisë, Manastiri duhet të vazhdojë të ruhet 24/7 nga trupat e KFOR-it, siç ka konfirmuar edhe komandanti i KFOR-it. Manastiri i Deçanit herë pas here ballafaqohet edhe me përpjekje të pabaza për të rishikuar identitetin kulturor dhe historik të këtij objekti të trashëgimisë fetare, tendencë e cila nuk është në përputhje me parimet evropiane dhe ndërkombëtare të interpretimit të saktë historik dhe artistik të monumenteve historike dhe objekteve të trashëgimisë”, thuhet në komunikatën e Europa Nostra.