Vllasi i kundërpërgjigjet Serbëve: Duhet ta pranoni realitetin e quajtur, Kosovë

E publikuar: 07/08/2017 10:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Janë të shumta deklaratat e krerëve të shtetit të serbisë të cilat ditëve të fundit kanë “habitur” opinionin e gjerë.

Duke filluar nga propozimi i bërë nga Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq për dialog të brendshëm dhe njohje të Kosovës, deklaratave të ngjashme u ka prirë edhe zëvendëskryeministri serb, Ivica Daçiq dhe së fundi Drejtoresha e Qendrës për Studime Euroatlantike në Beograd, Jelena Miliq ku theksohet se Serbia nuk duhet të bllokojë Kosovën.

Ndërkohë sipas analistit politik dhe njëherit avokatit, Azem Vllasi këto deklarata po vijnë në një kohë të duhur pasi siç thotë ai tashmë Serbia duhet të kuptojë realitetin e quajtur Kosovë.

Ai ka vlerësuar po ashtu edhe deklaratën e Daçiqit dhe Miliqit ku thotë se ideja për ndarje të Kosovës është e vjetër. Ndërsa kjo e fundit sa i përket mos-bllokimit të Kosovës ka qëllim të gjerë që shteti serbë ta pranon Kosovën si shtet.

“Me paraqitjen publike të Vuçiq përmes atij tekstit autorial i cili thotë se vërtetë Serbia duhet t’i hap rrugë vetës me pranu edhe formalisht realitetin e ri Kosovë për të cilën krejt në Serbi e dinë që ekziston që 18 vite prej 99-tës. Tash mas tekstit të Vuçiqit paraqiten njerëz të ndryshëm me ide të ndryshme por që të gjitha çojnë në drejtim të iniciativave të Vuçiqit si një largim i realitetit të ri që është i lidhur me Kosovën me e pranu si shtet. Pra,  për këtë edhe i kanë detyrat e ndara  e porositën edhe nënkryetarin  e Qeverisë serbe që thotë se nuk duhet të i bëjmë pengesë Kosovës për me u anëtarësu në  organizatat ndërkombëtare përveç në Kombet e Bashkuara , mendojnë deri te një marrëveshje Kosovë- Serbi”, ka thënë Vllasi për Indeksonline.

Ai ka përmendur edhe disa nga përfitimet të cilat mund ti ketë Serbia në këtë rast.

“Daçiq del për ndarje të Kosovës që është një ide e vjetër . Kjo zonja del me ide më konstruktive që thotë se nuk duhet të bllokojë Kosovën ashtu që  krejt kjo është dështim i propozimeve të ndryshme me një qëllim shumë të gjerë që Serbia ta pranon Kosovën me një realitet të ri si entitet shtetëror por testohet se çka mund të përfitojnë. Në aspektin territorial apo shpallje të kompetencave të Serbisë mbi komunitetin serbë në Kosovë që kanë insistuar shumë nga Serbia të vazhdojë të insistojë prapë që Bashkësinë e komunave me shumicë serbe ta ruajnë individin institucional të Serbisë me serbët e Kosovës por edhe diçka për statusin e kishës ortodokse e kështu me radhë” është shprehur ai.

Më tej Vllasi ka shtuar se Serbia duhet ta pranojë Kosovën si shtet pasi që këtë e konsideron si një barrierë të fortë drejt anëtarësimit në Union Evropian.

“Serbia është orientuar që të përfitojë sa më shumë që është e mundur  por realitetin e ri që Kosova është shtet megjithatë duhet ta pranojë se e dinë që këtë pjesë e ka një barrierë të fortë prej rrugëtimit për anëtarësim në Unionin Evropian. Ne e dimë që çështja e Kosovës është e rëndësishme dhe ata po lëvizin megjithatë për ta pranuar Kosovën si shtet” ka përfunduar ai.