Vllahiu: Kurti e ka marrë vesh që realiteti nuk është ajo që shkruhet në libra

E publikuar: 22/06/2022 22:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Të martën, Kosova dhe Serbia, në kryeqendrën evropiane në Bruksel, nënshkruan zotimin e udhërrëfyesit për zbatimin e Marrëveshjes për Energji, që ishte arritur në vitin 2013 dhe 2015.

Me anë të këtij zotimi, do të nisë faturimi i energjisë elektrike edhe në veriun e Kosovës.

Tema e sotme e emisionit Rubikon në Klan Kosova ishte pikërisht zotimi për zbatimin e Marrëveshjes për Energji, që u arrit në Bruksel.

Lidhur me këtë opinionisti Arbër Vllahiu tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka marrë vesh se realiteti është ndryshe nga libri.

“Zoti Kurti e di mirë ose e ka marrë vesh rrugës se realiteti është ndryshe prej librit. Realiteti nuk është ajo që shkruhet në libra, realiteti është ajo me të cilën ti përballesh, me të cilin ti ke për të vepruar, me të cilën ti për të punuar”, tha Vllahiu.

Ai theksoi se Lëvizja Vetëvendosje pati instaluar dhunë politike për ta bërë Albin Kurtin kryeministër.

“Tani problemi më i madh është që Lëvizja Vetëvendosje ka pas instaluar dhunë politike në skenën politike në Kosovë. Dhe unë e kam parë dhunën politike si mjet për arritjen e qëllimeve politike dhe mjeti për arritjen e qëllimeve politike ka qenë synimi themelor ka qenë për të vëne zotërinë Albin Kurti kryeministër”, theksoi ai.

“Pra, ne kthehemi në histori dhe e shohim që Lëvizja Vetëvendosje nuk është krijuar për të ndryshuar koncepte por është krijuar për të sjell dikë në pushtet. Ky është problemi”.