Vjosa Osmani tregon nëse synon edhe një mandat si Presidente e Kosovës

E publikuar: 21/03/2025 10:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani është deklaruar në lidhje me synimin apo jo të saj për një mandat të dytë në krye të Presidencës.

Osmani me këtë rast është shpreh se vendimin do ta marrë duke pasur parasysh interesat e Kosovës dhe të qytetarëve të saj.

“Nga viti i ardhshëm, do të diskutojmë për këtë çështje. Gjatë gjithë karrierës sime politike, kam punuar gjithmonë duke pasur parasysh interesin e Kosovës dhe qytetarëve të saj. Asnjëherë, asnjë vendim imi politik nuk është bazuar në kalkulime për atë se ku do të jem unë, por vetëm se ku do të jetë Kosova dhe qytetarët e saj”, deklaroi ajo.

Osmani tha se edhe këtë herë, vlerësimi se ku mund të kontribuon do të bëhet vetëm duke pas parasysh interesin e Kosovës dhe të qytetarëve të saj.

“Asnjëherë në jetën time nuk jam varur nga politika, nuk varem as tani. Do t’u shërbej qytetarëve të Kosovës për aq kohë sa ata dëshirojnë që unë t’u shërbej atyre”, theksoi Osmani.

Këtë deklarim Osmani e tha pas ngjarjes të organizuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), së bashku me iniciativën për Gratë Sipërmarrëse në Kosovë.