“Vjosa e vogel” nga Helsinki ju fton t’i bashkoheni nismës së saj për adoleshentët me autizëm në Kosovë

E publikuar: 31/03/2022 20:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Vjosa Fondacion

Më 2 prill shënohet Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Autizëm.

Fëmijët autik hasin në vështirësi të shumta e sidomos në vendin tonë, duke filluar që nga diagnostifikimi, arsimimi e deri te përfshirja në shoqërinë tonë që fatkeqësishtë është shumë diskriminuese, përcjellë infosot.com

Për t’iu ardhur në ndihmë kësaj shtrese të veçantë, Vjosa Fondacion me seli ne Finlandë do të organizojë Gala Mbrëmje Humanitare në këtë datë, duke filluar nga ora 19:00 deri në ora 23:00 në Vali Ranch, në Gjilan.

Kështu ka bërë të ditur tash e disa ditë themeluesi i këtij fondacioni Lulzim Behxheti, përcjellë infosot.com

Në një intervistë për infosot.com Behxheti tregon se do të prezantohet ankandi i 1200 portreteve, që ai preferon t’iu referohet si skica, të miqve të tij që nga fëmijëria e deri te personalitete të shquara shqiptare e botërore, të realizuara nga vet ai.

Dhe kjo do të shënojë nismën e këtij fondacioni që për qëllim ka ndërtimin e një kampusi për adoleshentët autik, përcjellë infosot.com

Behxheti me krenari tregon se e gjitha kjo është iniciativa e vet vajzës së tij, e cila gjithashtu është autike.

“Në fakt e gjithë kjo është iniciativa e vet Vjosës”, tha Behxheti kur u pyet se cili ishte reagimi i saj kur e pa të atin teksa po angazhohej me këtë iniciativë.

“Kur ishte më e vogël në vazhdimësi na pyeste: Pse edhe fëmijët në Kosovë nuk e kanë të njejtën përkujdesje si unë në Helsinki? Kjo u bë pyetje e përditshme. Vjosa me padurim e pret realizimin e këtij kampusi të parë që të bëhet pjesë e saj. Kjo është ëndërra e Vjosës”, theksoi ai.

Behxheti duke treguar se kjo nismë do të bëhet e përvitshme, shpreson se shoqëria por edhe institucionet shtetërore të mishërohen dhe te sensibilizohen sepse nevoja për këtë shtresë, e në veçanti për adoleshentët autik është e madhe.

“Janë disa qendra ku punohet me fëmijë autik dhe meritojnë çdo lavdatë, por për adoleshenta nuk ka asgjë. Dhe këtu ndërhyjmë ne me kampuset tona ku trajtimi do të jetë gjithë-ditor e jo i përkufizuar”.

Ai sqaron se kampusi do të themelohet me donacione nga kjo Gala Mbrëmje që shënon fillimin e përfitimit të fondeve, e që do të pasojë me koncerte, donacione nga institucionet shtetërore e të huaja. Madje ai thotë se do të ketë fondacione nga e gjithë bota.

“Posa të konfirmojmë se gjithcka rreth lejeve ndërtimore është në rregull, ne fillojmë me ndërtimin. Besoj se do ja dalim kësaj pune pa telashe. Ia kemi borgj fëmijëve tanë”, shprehet Behxheti për infosot.com

Ai thotë se shpreson dhe lutet që ta përfundojë këtë mision të shenjtë që ka nisur.

“Mesazhi, apo më mirë të them klithma ime dhe e gjithë prindërve të tjerë që ballafaqohen me situata të tilla, është: Ne një ditë s’do jemi, çdo gjë vdes. Ku do të mbesin fëmijët tanë?”, shprehet Behxheti duke shtuar se pas realizimit të këtij synimi ai dhe gruaja e tij do të mund të flenë të qetë, pasi që Vjosa, shokët e shoqet e saj do të jenë në duar të sigurta.

Në këtë Gala Mbrëmje përpos figurave që ju janë realizuar skicat gjatë karantinës nga vet Behxheti, do të marrin pjesë edhe figura të artit, kulturës e historisë. Gjithashtu do të ketë edhe përfaqësues të institucioneve të shtetit.

Me performanca do të paraqiten: sopranoja e famshme Inva Mula, ambasadorja e Vjosa Fondacion – Erza Muqolli, pianistja Lule Elezi, aktorja Vlora Merovci, Anna Krasniqi me performancë muzikore dhe grupi i baletit Dancing House.

Të gjithë ju që dëshironi të bëheni pjesë e kësaj nisme, mund të kontribuoni me blerjen e skicave dhe mjetet do të shkojnë në konton e Vjosa Fondacion.

Gala Mbrëmja gjithashtu do të transmetohet live në Radio Televisionin e Kosovës.