Vjen reagimi nga LDK’ja rreth mandatimit të Thaçit si udhëheqës i bisedimeve

E publikuar: 19/04/2018 15:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar rreth vendimit të Qeverisë për t’i dhënë Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, të drejtën që të jetë udhëheqës i fazës së fundit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Lumir Abdixhiku thotë për Gazetën Express se vetëm Qeveria ka sistem të llogaridhënies. Ndërsa vlerëson se një veprim i tillë është vetë faktorizim i Thaçit.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e bën të qartë përsëri se partia e tyre nuk e përkrahin idenë që në krye të negociatave me shtetin serb të jetë shefi i shtetit Hashim Thaçi.

Kjo parti në vazhdimësi ka shprehur qëndrimin e tyre të prerë kundër Thaçit në krye të dialogut mes të dyja shteteve.

Abdixhiku thekson se negociatat do të duhej të udhëhiqeshin nga Qeveria e Kosovës. Siç deklaron ai, ajo është e vetmja qe ka mekanizma ekzekutues me ministri, dhe e vetmja që ka sistem të llogaridhënies në Parlament.

“Pa llogaridhenie e pa ekzekutim, nje veprim i tillë me duket veçse faktorizim individual i Presidentit Thaçi”, ka shtuar ai në një përgjigje për Gazetën Express.

Kësisoj, duhet kujtuar se javë më parë në një tryezë ku flitej për finalen e madhe për dialogun Kosovë – Serbi, e ku mori pjesë edhe nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, ky i fundit e kritikoi mënyrën se di deri tash është zhvilluar agjenda e bisedimeve. Tha se vendi duhet ta ketë të qartë rrugën se kah dëshiron që të shkojë.

Haziri madje e kritikoi Thaçin duke ngritur dyshime se ai po bënte marrëveshje të fshehta me presidentin serb, Aleksander Vucic, për ndarjen e territorit të Kosovës. “Është mirë që këto dilema të hiqen dhe të qartësohet kjo situatë” tha atë ditë Haziri.

Sidoqoftë, platforma për finalizimin e dialogut të Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, të cilin Qeveria e Kosovës, të enjten, e ka miratuar dhe dërguar në Kuvend, e autorizon Presidentin Hashim Thaçi si udhëheqës të delegacionit negociator në bisedimet për arritjen e një marrëveshje mes dy vendeve të dala nga konflikti i vitit 1998/99.

Delegacioni kosovar, sipas kësaj platforme, do të përbëjë edhe nga një përfaqësues nga të gjitha partitë politike. /Gazeta Express/