Vizita e Palmer dhe Lajçak në Kosovë: SHBA dhe BE po bashkëpunojnë ngushtë para takimit Kurti-Vuçiq

E publikuar: 31/05/2021 10:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sot dhe nesër (31 maj – 1 qershor) në Kosovë do të qëndrojnë Përfaqësuesit Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit të SH.B.A.-ve, Mattheë A. Palmer.

Arsyeja e vizitës merret vesh se është përgatitja për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi, përkatësisht përgatitja e takimit mes Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.Sipas një njoftimi të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë gjatë vizitës së tij dy ditore, Lajçak do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, kryeministrin, Albin Kurti dhe zyrtarë tjerë.

“Lajçak gjithashtu do të takohet me komunitetin ndërkombëtar në Kosovë dhe do t’u drejtohet Shefave të Misioneve të BE-së”, thuhet në njoftim.

Gjatë vizitës së fundit në Brusksel, më 18 maj, kryeministri Kurti kishte deklaruar se takimi me Vuçiqin mund të ndodh diku në mesin e muajit qershor.

Ndërkaq, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe Siguri, Josep Borrell kishte deklaruar se shpreson që dialogu në nivel të lartë të ndodhë para 22 qershorit.

Vizita e përbashkët e Lajçakut me Palmerin në Kosovë, sipas burimeve diplomatike në Bruksel, do të bëhet edhe për të dërguar mesazhin se SHBA-ja dhe BE-ja bashkëpunojnë ngushtë sa i përket dialogut dhe kanë qëllime të ngjashme për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Edhe në Kosovë është kërkuar që të ketë një angazhim më të madh amerikan në dialog.
Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Ky proces ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.