Vitia vizitoi Klinikën e Oftalmologjisë: Dy milionë euro u kursyen nga buxheti falë shërbimeve të reja

E publikuar: 29/03/2023 14:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i shoqëruar nga U.D Drejtoresha e SHSKUK-së, Dr. Narqize Arenliu Hoxhaj, vizitoi sot Klinikën e Oftalmologjisë në QKUK, ku u njoftua se me shërbimin e kirurgjisë vitreoretinale (operacionet në segmentin e pasmë të syrit – Pars Plana Vitrectomi – PPV) është zvogëluar numri i pacientëve që trajtohen jashtë institucioneve shëndetësore publike, nga 500 raste të referuara në vit – siç ka ndodhur në të kaluarën, në rreth 100 raste në vit, njoftojnë nga MSh.

“Këto shërbime të reja, të cilat tani ofrohen në Klinikën e Oftalmologjisë, kanë ndikuar që të kursehen rreth 2 milionë euro buxheti, si dhe njëkohësisht kanë kursyer xhepat e pacientëve. Shpreh mirënjohjen time të thellë për punën e palodhshme të stafit shëndetësor në Klinikën e Oftalmologjisë”, tha ministri Vitia.

Ai po ashtu u shpreh se Ministria e Shëndetësisë do të ofrojë mbështetjen e saj të plotë për t’i mbuluar nevojat në bazë të rritjes së vëllimit të punës dhe shërbimeve në sallat operative, ambulancat specialistike, si dhe për të ofruar kushte më të mira të punës për stafin shëndetësor.