Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në fjalimin e tij në seancën solemne për nderë të 10 – vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ka thënë se dekada e dytë e shtetit kërkon më shumë punë e përgjegjësi.
Në këtë drejtim, ai renditi transformimin ekonomik, si angazhimin kryesor të institucioneve të vendit.
“Sfida e transformimit ekonomik të vendit është më e lehtë se çlirimi dhe ndërtimi i shtetit. Duhet të veprojmë për të krijuar kushtet e një ritmi tjetër, shumë më të shpejtë e përmbajtjesor të zhvillimit ekonomik. Dekada e dytë e pavarësisë, duhet të jetë dekada e mirëqenies ekonomike të qytetarëve të Kosovës”, tha ai.
Më poshtë është fjalimi i plotë i kryeparlamentarit Veseli:
20 vjet më parë, ishin pak ata që besonin se ne mund ta arrinim lirinë.
10 vjet më parë, ishin pak ata që besonin se mund ta bënim shtetin.
Por, ne ia dolëm.
Ia dolëm, sepse e dinim çfarë donim. Ishim të vendosur dhe krijuam miq të mirë në rrugën tonë të lirisë.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës me Adem Jasharin e mijëra luftëtarë të saj dhe Lëvizja Paqësore me Ibrahim Rugovën – janë sinonim të kësaj lirie.
Të rënët për liri mbesin shenjat më sublime të përgjegjësisë sonë për shtetin.
Kosova është obligimi ynë.
Zonja dhe zotërinj
Qytetarë të Republikës së Kosovës
Shumë ngjarje kanë mbushur harkun kohor të këtyre dy dekadave. Duket sikur shekujt janë mbledhur brenda tyre. Për vrojtuesit e historisë, të arriturat janë shumë të mëdha. Dikush do të mund të thoshte të paimagjinueshme.
Kemi ndërtuar një shtet demokratik, funksional, efektiv.
Kosova sot është shtëpi e sigurt për të gjithë qytetarët e saj, pavarësisht dallimeve që ata kanë.
Ekonomia jonë është në rritje permanente.
Kemi stabilitet dhe vetë-qëndrueshmëri financiare e makro-ekonomike.
Jemi nga të paktat vende që me investime vetanake kemi modernizuar infrastrukturën rrugore, shkollore dhe shëndetësore.
Punëtori në sektorin publik është i trajtuar në mënyrë shumë më dinjitoze dhe është më i mbrojtur se në të gjitha vendet e regjionit.
Kemi deficitin buxhetor më të ulët ne rajon.
Sektori privat është duke u fuqizuar.
Sektori i IT-së duke u ngritur furishëm.
Të rinjtë tanë janë gati për t’u përballur me sfidat e epokës digjitale.
Kemi ndërtuar raporte të shkëlqyeshme me fqinjët, me Shqipërinë, Maqedoninë e Malin e Zi.
Jemi partnerë dhe përkrahës të njeri-tjetrit.
Po përmbyllim çdo çështje të hapur mes nesh.
Po punojmë që frymën e bashkëpunimit ta ndërtojmë edhe në raportet me fqinjin verior, Republikën e Serbisë.
Mes konfliktit dhe dialogut me Serbinë, kemi zgjedhur këtë të fundit si rrugë pajtimi dhe respektimi të ndërsjellë, si dy shtete të pavarura.
Të nderuar të pranishëm
Zonja dhe zotërinj
Orientimi politik i shtetit tonë është autokton, perëndimor:
– Integrim në NATO dhe Bashkimin Evropian.
– Raporte të ngushta e të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
– Aleanca me shtetet e botës së lirë – është qenësore për ne.
– Ne duam dhe jemi të gatshëm për të marrë përgjegjësinë që na takon në sfidat globale: në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe rreziqeve tjera kundër paqes e sigurisë në botë.
Të nderuar të pranishëm
Jemi të vetëdijshëm se na mbetet edhe shumë për të bërë.
Sistemi edukativ kërkon përmirësim dhe përshtatje me nevojat e tregut të punës.
Sistemi shëndetësor ende është joadekuat me nevojat e qytetarëve.
Sistemi juridik do efikasitet, reforma dhe fuqizim të shtetit ligjor.
I dimë këto sfida, i njohim dhe do t’i zgjidhim!
Potencialet tona janë të mëdha.
Në dekadën e dytë të pavarësisë, na duhet shumë më tepër punë e përgjegjësi.
Çdo gjë që kemi arritur si komb, si Kosovë, ka një çmim të dhënë nga ne: një emër të fëmijës, një nëne, vëllai, motre, e prindi tonë.
Më 1999, Arb Manaj, nga Klina, ishte 6-muajsh kur ia vranë në luftë babanë e tij 25 vjeç.
Arbin e vizitova para dy ditësh, në shtëpinë e tij.
Ai tash po rritet si një futbollist i suksesshëm, me kujtimin për babanë e rënë dhe kujdesin shembullor të nënës së tij.
Rrëfimi i familjes së tij është vetë rrëfimi për fatin e Kosovës, për bijtë dhe bijat e saj që dhanë gjithçka nga vetja për lirinë e pavarësinë.
Kujtimi për sakrificat e tyre të panumërta është pjesë e pandashme e jetës dhe punës sonë në shërbim të shtetit të Kosovës.
Është obligimi ynë për brezat e së ardhmes, për fëmijët e Kosovës, që do ta trashëgojnë këtë vend të bekuar.
Për të mos lejuar më kurrë që të ndodhë ajo që i ka ndodhur Arbit.
Të nderuar të pranishëm
Zonja dhe zotërinj
Në dekadën e dytë të pavarësisë, na duhet më shumë punë e përgjegjësi.
Sfida e transformimit ekonomik të vendit është më e lehtë se çlirimi dhe ndërtimi i shtetit.
Duhet të veprojmë për të krijuar kushtet e një ritmi tjetër, shumë më të shpejtë e përmbajtjesor të zhvillimit ekonomik.
Dekada e dytë e pavarësisë, duhet të jetë dekada e mirëqenies ekonomike të qytetarëve të Kosovës.
Dashuria dhe krenaria për vendin nuk burojnë vetëm nga përvoja e së kaluarës, por mbi të gjitha nga besimi se ky vend krijon kushte për jetë dinjitoze të qytetarëve të tij.
Që të arrihet kjo, në rend të parë duhet një kthesë e madhe në qasjen dhe sjelljen tonë politike.
Duhet të çlirohemi nga barra e agjendave negative, debateve shterpe, nga gara e patriotizmit folklorik, nga barra e politikës që në vend të alternativave zhvilluese, prodhon vetëm etiketa negative kundër njëri-tjetrit.
Politika duhet t’u kthehet qytetarëve, si besim dhe mekanizëm në shërbim të tyre.
Politika u përket qytetarëve, përditshmërisë së tyre jetësore dhe të ardhmes së tyre. Ky është ligj themelor i demokracisë së vërtetë.
Nëse do t’ia dalim ta bëjmë këtë kthesë morale në politikën tonë:
– Përballja me sfidat e dekadës së dytë të pavarësisë do të jetë më e lehtë.
– Ecja përpara në të gjitha proceset shumë më e shpejtë.
– Transformimi ekonomik – realitet.
– Jeta e qytetarit tonë do të jetë më e mirë.
– Shanset për rininë – më të mëdha.
– Rehatia e moshës së tretë – e siguruar.
– Do të kemi shëndetësi shumë më të mirë për qytetarët tanë.
– Edukim në standardet bashkëkohore për të rinjtë e Kosovës.
– Ushtri të Kosovës, e gatshme për të qenë anëtare e denjë e NATO-s.
– Subjektivitet më të fuqishëm ndërkombëtar të vendit tonë.
Ne mund ta bëjmë këtë. Dhe, duhet ta bëjmë këtë.
Së bashku e kemi arritur lirinë me 1999.
Së bashku e kemi bërë shtetin me 2008.
Së bashku do ta bëjmë Kosovën vend krenar.
Gëzuar Dita e Pavarësisë!/koha.net/