Veseli, i befasuar me deklaratën e Erdoganit, thotë se Kosova s’i nënshtrohet presioneve nga jashtë

E publikuar: 01/04/2018 13:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është shprehur i befasuar me deklarimet e Presidentit të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, të drejtuara ndaj Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Këto deklarimet të Erdoganit, sipas Veselit, vijnë në një kohë kur institucionet e Republikës së Kosovës po trajtojnë në hollësi veprimet që çuan në arrestimin dhe deportimin nga Kosova në Turqi të gjashtë shtetasve turq.

“Këto deklarata janë shqetësuese, sepse vijnë nga lideri i një vendi mik, mbështetja e të cilit shtet është dëshmuar në vazhdimësi para dhe gjatë gjithë ekzistencës së shtetit tonë. Andaj, deklarimet e tilla nuk i kontribuojnë forcimit të miqësisë dhe bashkëpunimit te ndërsjellë, për çka vendi ynë ka qenë dhe është i përkushtuar”, ka thënë Veseli, raporton Koha.net.

Veprimet e institucioneve të Republikës se Kosovës, sipas Veselit, janë sovrane dhe si të tilla nuk mund t’u nënshtrohen presioneve të jashtme.

“Në këtë drejtim, edhe marrja në përgjegjësi e bartësve të institucioneve të sigurisë është çështje e brendshme dhe në diskrecion të lidershipit të Kosovës”, thekson Veseli në një postim në Facebook.

Ai thotë se Republika e Kosovës do të vazhdojë pa kompromis rrugën e vet evropiane, të forcimit të vlerave perëndimore dhe demokratike, duke ofruar bashkëpunimin e vet me të gjitha ato shtete mike që duan raporte të respektit të ndërsjellë, duke përfshirë edhe Republikën e Turqisë./koha.net/