Vërshimet në Kosovë, reagon Haradinaj: Tashmë kanë marrë përmasa të një fatkeqësie natyrore, të formohet Fondi Emergjent

E publikuar: 20/01/2023 13:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Aleancës për Arshmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka thënë se vërshimet në Kosovë tanimë kanë marrë përmasat e një fatkeqësie natyrore në nivel kombëtar.

Përmes një reagimi në profilin e tij zyrtar në Facebook, Haradinaj ka thënë se qytetarët e prekur nga këto vërshime kanë nevojë për ndihmën e shtetit.

“Kjo e shtron nevojën menjëhershme të krijimit të një Fondi Emergjent nga Qeveria. Qytetarët kanë nevojë për strehim, për ushqim, për ilaçe dhe veshmbathje. Ata kanë nevojë për ndihmën e shtetit. Udhëheqjet komunale e kanë të pamundur të përballen me pasojat”, ka shkruar Haradinaj.