Vendet ne zhvillim kerkojne veprime te forta në fushën e mbështetjes financiare

E publikuar: 15/07/2022 12:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Wang Wenbin vuri në dukje në një konferencë për shtypin të enjten se e ashtuquajtura “teori e kurthit të borxhit të Kinës” është thjesht një “kurth fjalësh” i krijuar nga forcat që nuk duan të shohin përshpejtimin e bashkëpunimit mes Kinës dhe vendeve në zhvillim, si ato të Afrikës.
Siç njoftohet, shoqata bamirëse britanike “Debt Justice” publikoi një raport së fundmi, ku ka cituar të dhënat nga Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe institucione të tjera, sipas të cilave borxhet e vendeve afrikane të marra nga institucionet financiare private perëndimore janë trefishi i borxheve të tyre nga Kina, dhe normat e interesit janë sa dyfishi i atyre të Kinës. Në përgjigje të pyetjes së gazetarëve, Wang Wenbin u shpreh:
“I kam vënë re raportet përkatëse. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, vlera e borxhit të 49 vendeve afrikane për të cilat ka të dhëna të regjistruara, arrin në 696 miliardë dollarë amerikanë. Prej tyre, huamarrja nga institucionet financiare shumëpalëshe dhe ato private, me përjashtim të Kinës, zë rreth tre të katërtat. Sipas hulumtimit nga ‘Debt Justice’, këto vende do ta paguajnë borxhin e tyre ndaj institucioneve financiare shumëpalëshe dhe atyre private mesatarisht me interes 32 % dhe 35 % në 7 vjetët e ardhshëm. Norma mesatare e interesit të kredisë të institucioneve financiare private perëndimore është pothuajse dyfishi i normës së kredisë së institucioneve kineze.”

 

Wang Wenbin u shpreh se, siç theksoi kreu i “Debt Justice”, “Perëndimi e fajëson Kinën për krizën e borxheve afrikane, për të shmangur vëmendjen, por në fakt, përgjegjësitë e bankave të tyre, kompanive të menaxhimit të pasurive dhe të tregtarëve të naftës janë më të mëdha.”
“Ne u bëjmë thirrje vendeve të zhvilluara dhe institucioneve të tyre financiare private, dhe shumëpalëshe, të ndërmarrin veprime më të forta për sa i përket mbështetjes financiare për vendet në zhvillim dhe lehtësimin e barrës së tyre të borxhit, për ta ndihmuar ekonominë botërore të realizojë zhvillimin e gjithanshëm dhe të qëndrueshëm”, shtoi zëdhënësi i diplomacisë kineze.