Në ankth vazhdojnë të mbahen qytetarët e Kosovës, në mes të kërkesës për zhbërjen e Gjykatës Speciale dhe thirrjeve të vazhdueshme ndërkombëtare për të mos e bërë një gjë të tillë.
Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka shtyrë për dy ditë mbledhjen, e cila ishte paralajmëruar që të mbahet të hënën e 15 dhjetorit. Në Rendin e Ditës që pret miratim të Kryesisë që do të mblidhet të mërkurën kërkesa numër 7 është ajo e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së dhe Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së për Seancë të Jashtëzakonshme në të cilën synohet ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Portali Koha.net ka folur me sekretarin e Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi, i cili ka thënë se nuk mund të komentojë më shumë se sa ajo që është publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit të Kosovës.
Kuvendi kishte provuar të zhbëjë Specialen mbrëmjen e 22 dhjetorit të vitit të kaluar, kur 43 deputetë kishin nënshkruar për thirrje të një seance të jashtëzakonshme.
Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit dhe i PDK-së, në një artikull autorial pas vitit të ri kishte thënë se Gjykata Speciale do të ndodhë dhe se ky është veprim i pashmangshëm.
Një delegacion franko-gjerman ka qëndruar në Kosovë për të përcjell porositë e Parisit dhe të Berlinit për pasojat që mund të ketë Kosova nëse zhbëhet Gjykata Speciale. SHBA e Britania e Madhe, me ambasadorët përkatës në Prishtinë, Greg Delawie e Ruairi O’Connell, janë shprehur hapur e ashpër kundër kësaj nisme.
Në anën tjetër edhe anëtarë të shoqërisë civile janë aktivizuar pas lajmit se Kuvendi pritet ta rikthejë në agjendë zhbërjen e Speciales.
Besa Luzha, ka thënë se nëse kjo është e vërtetë “përsëritja e kësaj iniciative nga ana e Kuvendit, përkundër argumenteve e reagimit nga shoqëria civile, diplomacisë ndërkombëtare dhe kërcënimeve për izolim dhe përkundër letrës ‘penduese’ të Veselit është vërtetë thikë pas shpine atyre që vazhdimisht iu janë referuar si ‘miqtë ndërkombëtarë’”.
“Ndoshta tash e kanë të qartë miqtë se kush është faktor stabilizimi e kush faktor destabilizimi”, ka thënë ajo.
Më i ashpër se kaq ka qenë Lulzim Peci që për një kohë të shkurtër ka qenë i dërguar i Kosovës në zyrën ndërlidhëse në Beograd, përpjekja e vazhdueshme e treshes në majë të pushtetit për ta zhbërë Gjykatën Speciale, është e krahasueshme me atë që Sllobodan Millosheviqi i kishte bërë Serbisë.
“Pas Serbisë së Millosheviqit, në Ballkan, vetëm Kosova do e bjerë vetën që të jetë shtet që do të përballet me sanksione – prej izolimit individual të ashtuquajturve liderë, deri te suspendimi i MSA-së, për shkak të interesave meskine të një grupi të vogël të individëve që e quajnë veten shtet-ndërtues, por që në realitet janë shtet-shkatërrues të vendit tonë”, ka shkruar Peci, duke shpërndarë një lajm që flet për mundësinë që në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës e cila do të mbahet të mërkurën të futet edhe Peticioni i veteranëve të UÇK-së, që duan seancë të jashtëzakonshme në të cilën synohet zhbërja e Gjykatës Speciale.
“Shkoni te shtëpia dhe na leni të marrim frymë e të ecim përpara”, ka shkruar tutje Peci./koha.net/