Ukraina i jep fund udhëtimit pa viza për qytetarët rusë

E publikuar: 26/05/2022 09:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ukraina ka urdhëruar t’i jepet fund udhëtimit pa viza për qytetarët rusë, duke përmendur nevojën për të përmirësuar sigurinë kufitare në vazhdën e pushtimit të Moskës.

Më parë, shtetasit rusë lejoheshin të vizitonin Ukrainën fqinje pa viza, shkruan Skynews.

Në një urdhër të postuar në faqen presidenciale, presidenti Volodymyr Zelensky tha se ai mbështeti një peticion të paraqitur nga një qytetar që kërkonte që kjo praktikë të përfundojë.

“Në sfondin e agresionit të plotë rus, çështja e ngritur është e rëndësishme dhe jetike. Unë mbështes nevojën për të forcuar kontrollet për hyrjen e qytetarëve rusë,” tha ai.

Zelensky tha se i kishte dërguar një letër kryeministrit Denys Shmyhal duke i kërkuar që të punonte për këtë çështje.

Ai nuk dha detaje të tjera.

Presidenti rus Vladimir Putin në fillim të muajit të kaluar nënshkroi një dekret për vendosjen e kufizimeve të vizave për qytetarët e vendeve që Moska i konsideron “jomiqësore” – përfshirë Ukrainën./KlanKosova/