Ukimeraj: Ministria do t’i padisë komunat që nuk rishqyrtojnë aktet e tyre

E publikuar: 11/05/2018 15:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Rozafa Ukimeraj, gjatë prezantimit të “Raportit të Funksionimit të Komunave të Republikës së Kosovës” paralajmëroi se do të paditen komunat të cilat pas rekomandimit të MAPL-së nuk i rishqyrtojnë aktet e tyre.

Ajo tha se procedura fillon në Ministrinë e Drejtësisë, por mund të vazhdojë më tej në gjykatë.

“Të gjitha aktet e komunave të cilat nuk do të rishqyrtohen, sigurisht se do ta mbyllin ciklin e vlerësimeve dhe do t’i adresojmë në gjykatë”, tha Ukimeraj.

Ndër të tjera, sekretarja e MAPL-së, tregoi se komunat e kanë për obligim që t’i publikojnë aktet e tyre.

“Në vitin 2017 MAPL-ja ka miratuar edhe Rregulloren për Publikimin e Akteve, një rregullore që i detyron komunat t’i publikojnë aktet e tyre në faqet e tyre zyrtare të internetit dhe në Gazetën Zyrtare. Në këtë kontekst është ndërlidhur, përveç transparencës, edhe momentumi (shpejtësia) e hyrjes në fuqi të një akti”, shpjegoi Ukimeraj.

Po ashtu, ajo tha se në faqet e komunave janë publikuar 1261 nga 1405 akte të aprovuara nga komunat, apo përafërsisht 90% të tyre.

Ukimeraj tha po ashtu se ka pasur raste kur MAPL-ja e ka vlerësuar ndonjë akt të një komune si të papërputhshëm me ligjin, por deklaroi se numri i këtyre shkeljeve ka rënë.

Ndërkaq, sipas raportit të MAPL-së, janë 9 komuna të cilat kanë web-faqe jofunksionale: Ferizaj, Hani i Elezit, Mamusha, Klina, Gjakova, Zveçani, Zubin-Potoku, Mitrovica e Veriut dhe Leposaviqi./kallxo.com/