Udhëheqësit e Prishtinës në garë për deputetë, mbledhin vota për Vetëvendosjen

E publikuar: 20/05/2017 12:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lëvizja Vetëvendosje i ka futur në listën për deputetë edhe shumicën e udhëheqjes komunale të Prishtinës. Prej Shpend Ahmetit, si Kryetar e deri te Drejtoresha e Arsimit, Arbërie Nagavci do të kërkojnë vota për t’u bërë deputetë.
Shpend Ahmeti, Kryetar i Prishtinës, Dardan Sejdiu, Nënkryetar, Arbërie Nagavci, Drejtresh e Arsimit, Salih Zyba, Drejtor i Inspekcionit, Liburn Aliu, Drejtor i Urbanizmit, Fitore Pacolli, Shefe e Kabinetit të Kryetarit, Hysen Durmishi, Drejtor i Investimeve kapitale.

Këta janë udhëheqësit e Komunës së Prishtinës që kanë vendosur të kërkojnë votat për deputetë në zgjedhjet nacionale që mbahen më 11 qershor.

Kryetari i Prishtinës është renditur i pesti në listën e Vetëvendosjes derisa në një reagim publik s’e ka sqaruar se nëse Vetëvendosje fiton do të mbetet në pozitën e deputetit.

“Bashkë ne të gjithë kemi vendosur si udhëheqësi komunale të angazhohemi maksimalisht në këtë garë, prandaj edhe unë edhe nënkryetari edhe disa drejtorë kemi vendosur të jemi në listën e Lëvizjes VETËVENDOSJE”, thuhet në sqarimin e Ahemtit.

Më herët, Kryetari aktual i Prishtinës, kishte paralajmëruar se do të jetë kandidat sërish për të udhëhequr me Kryeqytetin. Madje, kishte thënë se tërë energjinë e tij do ta japë për qytetin më të madh të Kosovës.

Sidoqoftë, Vetëvendosje ka vendosur të hyjë e vetme në zgjedhjet nacionale pasi kishte dështuar të bënte koalicion me AAK’në ose AKR’në, pavarësisht se kishte pasur negociata.

Në këtë situatë, Vetëvendosje ka përballë dy koalicione, njëri i LDK’së me AKR’në dhe tjetri i PDK’së me AAK’në e NISMA për Kosovën.

Para se të bëheshin këto koalicione, Vetëvendosje deklaronte se është partia e parë, bazuar në sondazhet e brendshme. Prej publikimit të koalicioneve, VV s’e ka përmendur asnjëherë më se janë partia e parë. Vetëm kanë thënë se janë të vetmit që mund ta bëjnë ndryshimin.